FIFA ka zyrtarizuar golin më të bukur të Kupës së Botës 2026. Futbollisti i Kepit të Gjelbër, Sidny Lopes Cabral, ka merituar 'trofeun' për realizimin kundër Argjentinës, gol që mahniti tifozët dhe ekspertët e futbollit.

Me këtë çmim, mbrojtësi i majtë shkruan historinë, pasi bëhet futbollisti i parë nga një përfaqësuese afrikane që fiton vlerësimin për golin më të bukur në një edicion të Botërorit.

Cabral e meritoi këtë çmim falë një supergoli të shënuar në përballjen e fazës së 1/16-ave kundër Argjentinës. Në kohën shtesë, ai kaloi me një driblim fantastik Alexis Mac Allister, përpara se të lëshonte një goditje të fuqishme dhe të saktë nga skaji i zonës, duke mposhtur portierin Emiliano Martinez.

Edhe pse Kepi i Gjelbër u eliminua në fund të takimit pas një autogoli në minutat e fundit të kohës shtesë, paraqitja historike e skuadrës në debutimin e saj në Kupën e Botës 2026 mbeti një nga historitë më të bukura të turneut.

Tashmë, kryevepra e Sidny Lopes Cabral është 'vulosur' edhe zyrtarisht nga FIFA si goli më i bukur i Kupës së Botës 2026, duke zënë një vend të veçantë në historinë e kampionateve botërore.