Në stadiumin "Carlo Castellani", Empoli vendas nuk ia doli të sigurojë pikë dhe humbi 0-3 me Milanin. Kjo ishte fitorja e parë pas tre muajve e kuqezinjve në udhëtim. Dueli pa në stol Berishën dhe Shpendin për vendasit, teksa Ismajli e nisi nga minuta e parë në mbrojtje, por pa mundur të ndalë miqtë. Dueli u zhbllokua pas 11 minutave lojë nga Loftus-Cheek, që nuk gaboi dhe ktheu në gol pasimin final të Leao. Më pas ishte radha e Giroud që në të 31 minutë shënoi për 0-2 nga penalltia, kjo edhe pas ndërhyrjes së VAR. Në fund të lojës, në minutën e 88-të, djaloshi nga Bregu i Fildishtë, Chaka Traore shënoi golin e tretë. 19-vjeçari gjen rrjetën e parë me kuqezinjtë në Serie A, vetëm katër minuta pasi u fut në fushë. Milan me 39 pikë 'blindon' vendin e tretë, ndërsa Empoli me 13 pikë mban vendin e parafundit.