GJIROKASTËR- Dy të rinj janë arrestuar në Gjirokastër me 34 kg kanabis në makinë, të cilën do ta trafikonin në Greqi. Të dy u kapën tek ura e fshatit Kardhiq, duke transportuar me automjet tip “Hyundai”, 44 pako me lëndë Cannabis Sativa.
Pakot ishin fshehur në një hapësirë të improvizuar, te shasia e automjetit. Lënda narkotike u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin tip “Hyundai” dhe me 4 celularë të të arrestuarëve.
“Si rezultat i një pune të mirorganizuar hetimore dhe operacionale, të kryer nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit Operacional dhe me shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja", me qëllim goditjen e një tjetër tentative për të trafikuar në Greqi, sasi të madhe lënde narkotike Cannabis Sativa, u finalizua operacioni “Ura”.
Në kuadër të operacionit, u arrestuan në flagrancë shtetasit E. M., 35 vjeç, banues në fshatin Blerimas, Delvinë dhe E. S., 37 vjeç, banues në fshatin Gjashtë, Sarandë.
Të dy u kapën në flagrancë, tek ura e fshatit Kardhiq, duke transportuar me automjet tip “Hyundai”, 44 pako me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa (me peshë totale 34 kilogramë e 5 gramë), dyshohet me qëllim trafikimin në Greqi”, njoftoi Policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Komente












