Serie A e futbollit në Itali vijon këtë fundjavë me raundin e 36-të. Mbrëmjen e të shtunës në stadiumin 'Via del Mare' në Lecce, vendasit u mposhtën 0-1 nga Juventusi.

Sfida nisi me 'gol nga tuneli' pasi Dusan Vlahovic e dërgoi sferën në rrjetë pas vetëm 11 sekondave lojë, duke bërë që realizimi i tij të futet në histori si goli më i shpejtë i këtij sezoni dhe një ndër më të shpejtët në gjithë historinë e Serie A.

Me topin e nisur nga mesi i fushës, Juvja u hodh menjëherë në sulm dhe krosimi i gjatë drejt zonës përfundoi në këmbët e Cambiasos, i cili pasoi në Vlahovic, me këtë të fundit që pati fat dhe doli në pozicion goditës duke e ndalur sferën pas krahëve të portierit Falcone në vetëm 11 sekonda lojë.

Ndeshja më pas prodhoi edhe disa raste të tjera, teksa Juventusit iu anuluan dy gola për pozicion jashtë loje. Fillimisht Vlahovic shënoi në minutën e 48-të dhe Kalulu në minutën e 59-të, teksa VAR anuloi gjithçka. Edhe Lecce kishte disa raste të mirë, por Juvja shpëtoi falë ndërhyrjeve të sakta të portierit Di Gregorio. Edon Zhegrova mori vetëm shtatë minuta në fund te 'Zonja', ndërsa Ylber Ramadani për Leccen luajti 90 minuta duke bërë një paraqitje shumë të mirë në ndeshjen numër 100 me fanellën e puljezëve.

Me një ndeshje më shumë të luajtur, Juventusi me 68 pikë merr për momentin vendin e tretë në Serie A, por Milani luan sot kundër Atalantës dhe mund të spostojë sërish bardhezinjtë. Kujtojmë se çështja e titullit në Serie A u vendos një javë më parë, me Interin që siguroi trofeun numër 21 në histori, teksa gara tanimë bëhet për zonën evropiane dhe mbijetesën.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 9 Maj, 13:00

    PS propozon masa më të ashpra për shoferët e dehur e ata të rinj, si iu duket?