LIVERPOOL - Trajneri i Atletico Madrid, Diego Simeone, nuk mundi ta mbyllte në stol ndeshjen e humbur 3-2 kundër Liverpoolit në Champions League. Argjentinasi nuk i mbajti dot nervat në 'Anfield', me Atleticon e tij që u mposht nga Liverpooli në shtesën e dytë me golin e shënuar nga kapiteni Virgil van Dijk.

Vendasit 'shpërthyen' në festë, ndërsa Diego Simeone është përplasur me një nga fansat e kuq. Një prej tifozëve të Liverpool i ka qeshur në fytyrë Simeones, me këtë të fundit që nuk e ka kaluar me aq sportivitet.

Përplasja më pas mori përmasa më të mëdha, me sigurinë që u përpoq të mbante larg tifozët dhe stafin e Atletico Madrid. Në fund Simeone u ndëshkua me karton të kuq.

"Fyerje gjatë gjithë ndeshjes. Dhe gjeste gjithashtu. Unë jam ai që duhet të qëndroj i qetë dhe duhet të duroj gjestet, fyerjet, çdo situatë. Pse? Sepse jam në një vend ku duhet të duroj", tha Simeone për këtë rast.