Gjithçka ndodhi në ajër, në mes të fluturimit nga Turqia drejt Mançesterit. Në korridorin e ngushtë të avionit, pasagjerët nisën të shtyheshin, të kapeshin me njëri-tjetrin dhe të shkëmbenin grushte, ndërsa të tjerët bërtisnin të frikësuar.

Pamjet tregojnë një skenë të rrëmujshme: njerëz që përplasen në mes të sediljeve, fëmijë që qajnë, të moshuar të shtangur. Dëshmitarët thanë se në disa vende kishte gjak mbi sedilje dhe dhëmbë të rënë në dysheme.

Sipas pasagjerëve, sherri nisi kur një person tentoi t’i merrte telefonin një tjetri. Situata u ndez shpejt. Disa pretendojnë se një nga pasagjerët kishte pirë shumë dhe kishte bërë komente raciste, përpara se të përplasej edhe me stjuardesat për çështjen e cigareve.

Piloti vendosi të mos rrezikojë. Avioni u devijua drejt Brukselit, ku policia hipi menjëherë në bord sapo u hapën dyert dhe mori në pranga dy persona.

Më pas fluturimi vazhdoi drejt Mançesterit.

Piloti, sipas pasagjerëve, u tha se në 30 vite karrierë kishte bërë shumë pak ulje emergjente dhe nuk kishte përjetuar kurrë një incident kaq të dhunshëm në bord.

Kompania ajrore Jet2 e quajti sjelljen “të papranueshme” dhe njoftoi se personat e përfshirë do të përjashtohen përjetë nga fluturimet e saj.