Epoka e Luciano Spallettit te Juventusi është gati të fillojë. Trajneri italian ka mbërritur i vetëm në Continassa duke ngarë vetë makinën dhe po përgatitet të nënshkruajë kontratën që do e mbajë te "Zonja e Vjetër" për të paktën tetë muaj. Nëse ia del të sigurojë katër vendet e para që do të thotë pjesëmarrje në Champions League, një rinovim automatik deri në verën e 2027 do hynte në fuqi, me mundësi rinovimi edhe për një tjetër sezon (2028).
Shkarkimi i Igor Tudor ka bërë që bardhezinjtë të lëvizin dhe fitorja e djeshme 3-1 kundër Udineses ka kthyer humorin në kampin e "Zonjës së Vjetër". Pritet që sot në orën 15:00 Juventusi të zhvillojë stërvitjen e radhës dhe Spalletti të jetë pjesë e saj.
Debutimi i trajnerit do vijë në fundjavë, me Juven që luan kundër Cremoneses në udhëtim, të shtunën në orën 20:45. Pas këtij dueli, në datën 4 nëntor në Torino vjen Sportingu i Lisbonës për raundin e katërt në Champions League, duel që bardhezinjtë duan ta fitojnë nëse kërkojnë të kalojnë në fazën tjetër.
Zyrtarizimi i Luciano Spallettit mund të bëhet sot në orët e pasdites dhe nesër ai do prezantohet si trajneri i Juventusit.
Luciano Spalletti
E kaluara
66-vjeçari Spalletti ka drejtuar skuadra si Empoli, Sampdoria, Udinese, Ancona, Roma, Zenit Shën Petersburg, Interi, Napoli dhe së fundmi kombëtarja e Italisë, ku u shkarkua më 10 qershor të këtij viti.
Spalletti ka fituar Serie A me Napolin në sezonin 2022-23, ndërsa ka dy trofe të Kupës së Italisë të fituar me Romën (sezoni 2006-07 dhe 2007-08), si edhe Superkupën e Italisë me Romën në sezonin 2007-08. Ai ka edhe katër trofe të fituar me Zenitin në Rusi, ku veç të tjerash edhe dy herë kampionatin në sezonet 2009-10 dhe 2011-12.
Luciano Spalleti a Torino per firma con Juventus. Turin, Torino - Italy - Luciano Spalletti - Juventus coach pic.twitter.com/YuIOX8zgu4
— News video (@Newsvideo13) October 30, 2025
Komente








