Një ditë pasi Këshilli i Bashkisë së Himarës ka komanduar drejtuesin e ri, Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është takuar në Himarë me Petro Belerin, babanë e Fredi Belerit kryebashkiakun e zgjedhur te Himarës nga listat e koalicionit Bashkë Fitojmë, që ndodhet në burg për blerje votash. Teksa ka publikuar një video Meta ka hedhur akuza duke e kosideruar arrestimin e tij politik.

Meta shprehet se të hënën do të kërkojë të vizitojë nga afër Fredi Belerin që ish presidenti e quan të burgosur dhe të rrëmbyer politik. 

"Jam sot në Himarë, pranë Petro Belerit, babait të të rrëmbyerit politik nga banda në pushtet, që e ka rrëmbyer pikërisht për të rrëmbyer pronat e himariotëve në mënyrë që të pastrohen paratë e drogës dhe krimit të organizuar. Himara do ja tregojë vendin edhe nga burgu, regjimit të pengmarrësve dhe do t’ua tregojnë gjithmonë siç ja u ka treguar osmanëve njëherë e një kohë dhe siç ja u ka të gjithë pushtuesve dhe zaptuesve.

Nga e hëna do bëj kërkesën për të vizituar të rrëmbyerin politik në një vend anëtar të NATO-s, në një vend që synon të çelë negociatat me Bashkimin Europian dhe të anëtarësohet, në një vend ku mbretëron arbitrariteti dhe jo vullneti i qytetarëve dhe demokracia. Përshëndetje të gjithë himariotëve trima dhe guximtarë që u kanë dhënë shembull të gjithë shqiptarëve se si duhet sfiduar ky regjim grabitës dhe intimidues", thotë Meta.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:14
Këshilltari i PL votoi kryebashkiaken e re, Meta e 'zhyt' në det: S’ka kënaqësi më të madhe se të lindësh në Skrapar e të vdesësh në Himarë (Video)

Një ditë pas votimit mes tensionesh të kryetares së komanduar të bashkisë Blerina Bala Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta shfaqet në Himarë në shoqërinë e Timoleo Gërdhuqi, këshilltar bashkiak i Partisë së Lirisë në Himarë që votoi për Blerina Balën.

Në videon e publikuar në rrjetin e tij Ilir Meta thotë, “Nuk ka kënaqësi më të madhe se të lindësh në Skrapar e të vdesësh në Himarë”.

 “Në Porto Palermo me Timo Trimin, kryekëshilltarin tonë në Bashkinë e Himarës, ku sot uji ishte më i ftohtë se akulli, por vetëm ne fillim se pastaj s’të iket’, shkruan Meta krahas videos së publikuar.