Ish-truproja e Sali Berishës, Sali Lusha ka qenë sot në selinë e PD mes anëtarëve të degës 8 të PD në Tiranë për të kërkuar largimin e Lulzim Bashës. Lusha së bashku me Indrit Hoxhën, i cili kishte ardhur për të përfaqësuar demokratët e degës 8 kanë kërkuar që Basha të largohet për t’i hapur rrugë zgjedhjeve dhe bashkimit të demokratëve. Lusha është një nga mbështetësit më të flaktë të Berishës dhe gjithmonë i pranishëm në aktivitetet e tij. Sot teksa ka hyrë në selinë e PD, dera e jashtme e së cilës ka qenë e hapur Lusha ka përshëndetur me dy gishta.  

Ndërsa Indrit Hoxha ka folur para selisë blu dukë thënë se blofet dhe fasadat që po luhen në PD po e dëmtojnë atë.

“Lulzim Basha është shkarkuar nga Kuvendi. Detyra e sotme e tij është që të largohet nga zyrat e selisë së PD-së. Të dorëzojë logon e konfiskuar që është marrë peng nga shumë njerëz, jo vetëm Edi Rama. Të hapë rrugën për zgjedhjet në PD sipas standardit një anëtar, një votë. Blofet dhe fasadat që po luhen në selinë e PD e dëmtojnë atë. Këta janë anëtarët e njësisë 8, që e kanë shkarkuar Lulzim Bashën dhe kërkojnë hapjen e garës dhe procesit për këdo që kërkon të ballafaqohet me votën e anëtarësisë,” tha Hoxha.

PD ndodhet sot në një situatë edhe më të përçarë dhe të tensionuar pas humbjes në zgjedhjet e 6 marsit, ku PD doli forcë e tretë. Deputetët që e mbështesnin pas largimit të Berishës nga PD, sot i kërkojnë Bashën të jap dorëheqjen dhe të lejojë mbajtjen e zgjedhje në parti që do të bashkojë demokratët.