Një depo plastike në qytetin kroat lindor të Osijekut është përfshirë nga flakët e një zjarri masiv, i cili më pas u përhap në një ndërtesë fqinje ku ruhen kimikatet.
Autoritetet u kërkuan banorëve pranë periferisë së Osijekut, ku filloi zjarri, të qëndronin brenda me dritare të mbyllura pasi retë e dendura të tymit të zi mbuluan zonën. Shkollat janë mbyllur dhe ka raporte të pakonfirmuara që tymi po shkon drejt Bosnjës në jug.
Ivan Anusic, guvernatori i rajonit Osijek-Baranja, akuzoi pronarët e magazinës, kompaninë Drava International, për neglizhencë dhe shkelje të ligjit. Kjo kompani prodhon plastikë. Shërbimet e urgjencës thanë se sasi të mëdha të plastikës të ruajtura në një zonë të hapur ishin në flakë, duke e bërë të vështirë për zjarrfikësit kontrollin e zjarrit të furishëm, rap[orton agjencia e lajmeve N1info
“Fëmijët tanë nuk mund të shkojnë në shkollë, ky tym është kancerogjen”, thanë banorët.
Televizioni shtetëror HRT raportoi se tre zjarrfikës u plagosën, duke përfshirë një në gjendje të rëndë. Raporti tha se zjarrfikësit arritën të nxjerrin sasi të mëdha lëngu të ndezshëm nga zona e zjarrit, duke parandaluar incidente të mëtejshme. Fabrika Drava International prodhon ambalazhe plastike dhe produkte të tjera. Mediat kroate raportuan se ka pasur katër incidente në fabrikë në 12 vitet e fundit, duke vrarë një person.