MEKSIKË - Kombëtarja japoneze e futbollit përjetoi orë të trazuara dhe një odise të papritur logjistik në Monterrey të Meksikës, qyteti ku do të zhvillojë ndeshjet e fazës së grupeve në Kupën e Botës 2026. Për shkak të gjendjes katastrofike të fushave stërvitore, delegacioni japonez u detyrua të ndryshonte planet dhe të ndërronte dy herë vendin e stërvitjes brenda 48 orësh.
Japonia kishte mbërritur në Meksikë më 2 qershor për të nisur një periudhë të shkurtër përgatitore, veçanërisht për t’u përshtatur me klimën meksikane. Të nesërmen, skuadra zhvilloi seancën e parë stërvitore në qendrën stërvitore të Tigres UANL.
Megjithatë, aty u shfaq problemi, fusha ishte në kushte krejtësisht të papërshtatshme për një kombëtare të nivelit të lartë. Terreni ishte i pabarabartë, plot gropa, ulje-ngritje dhe zona të mëdha me dhe të zhveshur pa bar. Disa video të regjistruara nga tifozë, gazetarë dhe persona të tjerë të pranishëm treguan futbollistët japonezë duke u stërvitur në atë fushë të dëmtuar. Pamjet u përhapën menjëherë në rrjetet sociale meksikane, duke shkaktuar kritika të ashpra dhe siklet te tifozët vendas për imazhin negativ të krijuar në arenën ndërkombëtare.
Duke vlerësuar rrezikun e lartë të dëmtimeve për lojtarët, stafi teknik i kombëtares e përjashtoi menjëherë përdorimin e qendrës së Tigres. Fillimisht, skuadra u zhvendos përkohësisht në fushat e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit lokal UANL. Megjithatë, edhe kjo rezultoi vetëm një zgjidhje emergjente dhe jo e përshtatshme për standardet e kërkuara në prag të një Botërori.
Për të gjetur më në fund një fushë me cilësi të denjë, Federata Japoneze e Futbollit iu drejtua klubit të Tigres, rivalëve historikë të Tigres UANL. Gjatë ditës së djeshme, kombëtarja u transferua zyrtarisht në El Barrial, qendra moderne dhe e mirëmbajtur stërvitore e Rayados de Monterrey, e vendosur në zonën metropolitane të Santiagos. Atje skuadra mundi të zhvillonte më në fund një seancë pasditeje në një fushë në kushte të shkëlqyera.
“Është për shkak të motit të keq, nuk mund të bëjmë asgjë. Ne duam të garantojmë përgatitjen më të mirë të mundshme për Kupën e Botës”, deklaroi Masakuni Yamamoto, drejtori teknik i Federatës Japoneze të Futbollit, pas largimit të ekipit drejt objekteve të CF Monterrey. Ai minimizoi incidentin para mediave, duke shpjeguar me qetësi se skuadra thjesht po kërkonte një ambient më të mirë dhe se problemet kishin ardhur kryesisht si pasojë e motit të keq të ditëve të fundit.
Megjithatë, ylli i kombëtares japoneze, Takefusa Kubo, shtoi: “Fushat nuk ishin në nivelin e standardeve të Kupës së Botës”.
Të martën që vjen, kombëtarja japoneze do të rikthehet në grumbullimin e saj në Nashville, në shtetin e Tennessee. Japonia bën pjesë në Grupin F dhe do të përballet fillimisht me Holandën, më pas me Tunizinë dhe Suedinë.
Se me está cayendo la cara de vergüenza con la imagen que le estamos dando al mundo. Cómo se les ocurre a los Tigres entregar la cancha así?..
— Sergio ?? (@Seergiot3ck) June 4, 2026
ES COMO PARA DESAFILIARLOS DE LA LIGA. ? pic.twitter.com/bGxSZ9PQHB
Komente

