Në "Giuseppe Sinigaglia" vendasit e Comos u përmbysën 1-3 nga Milani. Kuqezinjtë vijojnë të mbeten të dytët në renditje, duke ndjekur "këmba-këmbës" Interin. Heronjtë e Milanit në përballjen e djeshme ishin Rabiot me dopietë dhe Maignan me disa pritje fantastike. "Djalli" ia doli t'i shkaktonte Comos humbjen e parë në stadiumin e tyre.
Sfida nisi mirë për Comon e Fabregas. Pas asistit të Baturinas, ishte Kempf pas dhjetë minutash lojë që tundi rrjetën dhe i dha avantazhin e përkohshëm vendasve. Milani "u fik" dhe kontrolli kaloi në këmbët e Comos, por portieri Maignan mbajti kuqezinjtë në lojë me tre pritje të pabesueshme.
Kur u duke se pjesa e parë do fliste për Comon, ishte Rabiot që fitoi një 11 metërsh në limitet e kohës së rregullt. Nga penalltia Nkunku nuk gaboi dhe e dërgoi sferën në rrjetë, paçka se portieri Butez kuptoi krahun dhe preku sferën.
Fraksioni i dytë nisi me raste për Comon, por sërish Maignan ndali Nico Paz me shokë. Duhej minuta e 55-të, pasimi i Leaos dhe finalizimi nga brenda zone i Rabiot që Milani të merrte epërsinë dhe të përmbyste sfidën. Dy minuta nga fundi sërish Rabiot me një "predhë" nga jashtë zone "vulosi" tri pikët e Milanit me fitoren 1-3, duke u rikthyer te suksesi i plotë pas dy barazimeve radhazi kundër Genoas dhe Fiorentinës. Me 43 pikë të besuarit e Allegrit mbeten në pozitën e dytë, tre pikë pas Interit kryesues.
Lajmi kryesor:
GOLAT/ Milani 'këmba-këmbës' Interit për kreun e Serie A, fiton në Como! Bologna tre gola për tri pikë në Verona









