Granada fitoi dje 1-0 me Malagan për javën e 29-të në La Liga 2 të futbollit. Protagonist te vendasit u kthye sërish Myrto Uzuni, sulmuesi beratas që po shkëlqen në Spanjë.
Në minutën e fundit të ndeshjes, sulmuesi i Kombëtares "gatoi" asistin e golit. Ruiz nuk e pati të vështirë të gjente rrjetën, me Uzunin që dha asistin e tretë këtë sezon.
Një aksion nga e majta e sulmit bëri që Uzuni t'i jepte forcë një topi në zonë, për golin me vlerën e tri pikëve të shënuar nga kolegu i tij. Këtë sezon në La Liga 2 Uzuni ka shënuar 17 gola në 26 ndeshje, duke qenë në krye të listës së golashënuesve. Me 51 pikë pas javës së 29-të, Granada mban vendine pestë, 5 pikë më pak se kryesuesit e Las Palmas.