Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka njoftuar zyrtarisht se do të largohet nga posti në fund të sezonit, duke publikuar një video në rrjetet sociale të premten, përpara ndeshjes së fundit të ekipit të tij në Premier League kundër Aston Villa të dielën.

Spanjolli ka qenë në krye të “Qytetarëve” që nga viti 2016 dhe është bërë trajneri më i suksesshëm në historinë e klubit, pasi fitoi Champions League, gjashtë tituj të Premier League dhe shumë kupa vendase.

“Mos më pyesni për arsyet pse po largohem. Nuk ka asnjë arsye. Por thellë brenda vetes e di që ka ardhur koha ime”, thotë ai mes të tjerash në një video emocionuese.

Manchester City pritet të emërojë Enzo Maresca si pasuesin e tij, pasi ish-trajneri i Chelsea dhe Leicester City ka punuar më parë si ndihmës i Guardiolës në stadiumin 'Etihad'.

Megjithatë, Guardiola nuk do të largohet plotësisht nga klubi, pasi 55-vjeçari deklaroi gjithashtu se do të marrë rolin e Ambasadorit Global.

Historia e Pep me Man. Cityn dhe falenderimi i klubit

Pep Guardiola mbërriti te Manchester City në vitin 2016 dhe shumë shpejt vendosi stilin e tij në Premier League, duke ndryshuar fytyrën e futbollit në vend.

Titulli i tij i parë në kampionat erdhi në vitin 2018, kur skuadra e tij grumbulloi plot 100 pikë, ndërsa në sezonin 2022/23 ai arriti “gralin e shenjtë” të futbollit anglez, duke fituar tripletën; Champions League, Premier League dhe FA Cup. Kështu, Manchester City u bë vetëm skuadra e dytë angleze që arrin këtë sukses pas Sir Alex Ferguson dhe Manchester United në sezonin 1998/99.

Në një deklaratë, drejtori ekzekutiv i klubit, Ferran Soriano, shtoi:

“Trashëgimia e Pepit është e jashtëzakonshme dhe ndikimi i saj i vërtetë do të vlerësohet më mirë nga historianët e ardhshëm të Manchester City. Ai kontribuoi në mënyrë vendimtare në rrugëtimin tonë drejt ekselencës globale dhe standardet e tij të larta do të jenë një pikë referimi për lojtarët dhe trajnerët tanë të së ardhmes.

Nëse ka diçka më të vështirë sesa të fitosh, është të fitosh përsëri. Kjo kërkon këmbëngulje të jashtëzakonshme, qëndrueshmëri dhe përulësi për të nisur nga e para çdo vit, me të njëjtën energji, vazhdimisht. Kjo është ajo që bëri Pep.”

Edhe kryetari i klubit, Khaldoon Al Mubarak, komentoi largimin.

“Ka pasur momente gjatë rrugës kur ai mund të ishte ndalur dhe kjo do të kishte mjaftuar. Disi, Pep gjithmonë gjente energji të re dhe vazhdonte përpara, duke gjetur mënyra të ndryshme dhe novatore për të vazhduar të fitonte dhe të sillte sukses."

Në karrierën e tij 10-vjeçare, Guardiola siguroi 20 trofe për Cityn, mes të cilave Champions Leaguen e parë në histori të klubit, gjashtë Premier League dhe 3 FA Cup.