Stuhia Claudia po sjell mot të keq në Francë, Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Në orët e fundit, qyteti uellsian i Monmouth është goditur nga përmbytjet pasi lumi Monnow doli nga shtrati. Uji ka pushtuar rrugët dhe shtëpitë, duke detyruar disa familje të evakuohen nga shtëpitë e tyre.

Disa banorë janë evakuuar dhe janë vendosur në bibliotekën lokale.

"Nuk e kam parë kaq keq në Monmouth prej 30 vitesh", tha këshilltari i qarkut lokal Martin Newell, i cili ka një biznes në qytet, duke shtuar se ishte "absolutisht i trishtuar" për ata që u prekën.

Ministrja Emma Hardy, tha se megjithëse moti tani është "më i qetë", mbetet rreziku i përmbytjeve. Rreth 49 paralajmërime për përmbytje janë lëshuar për Anglinë, ndërsa nëntë paralajmërime për përmbytje janë në fuqi në të gjithë Uellsin.

Menaxheri i zonës së shërbimit të zjarrfikësve, Matt Jones, tha se kushtet mbetën sfiduese për shkak të ujit që lëviz me shpejtësi dhe rrugëve të bllokuara. “Ky është një incident në shkallë të gjerë dhe ekipet dhe partnerët tanë kanë punuar pa u lodhur gjatë gjithë natës dhe deri sot për të ndihmuar të prekurit”, tha ai.

Reshjet e shiut do të vazhdojnë në të gjithë Anglinë dhe Uellsin, ndërsa Irlanda e Veriut dhe Skocia mund të presin kushte meteorologjike më të thata.