Në seancën e fundit parlamentare paralajmërimeve të Lulzim Bashës se populli do të ngrihej për tarifën e Rrugës së Kombit, kryeministri Edi Rama iu përgjigj me ironi duke përmendur vargjet e asaj që sipas tij është një poezi që e di mirë Sali Berisha.  

“Thirri, thirri të të ngrihet, ai i shkreti kokëulur s’të përgjigjet dot”, ishin vargjet e përmendura nga Rama.

Pak para citimit të këtyre vargjeve, Rama i përbuzi dhe ironizoi thirrjet e vazhdueshme të opozitës se do të ngrihen njerëzit në protestë.

Por sot qeveria dhe sidomos policia u gjend krejt e papërgatitur përballë rreth 300 protestuesve, të cilët gjunjëzuan uniformat blu dhe praktikisht krejt shtetin.

Edhe më tepër dyshime lidhur me profesionalizmin e policisë, përgatitjen dhe marrjen e masave paraprake e ngre fakti, se ishte vetë ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj i cili sot deklaroi se për djegien e pikave të kalimit në Kalimish kishte patur disa skenarë, që nënkuptojnë një organizim të mirëmenduar.

Por a nuk duhet të kishte marrë pasat e duhura policia për këtë dhe a nuk duhet të kishte dhënë një përgjigje më efikase në kohë, kur u pa se situata degjeneroi?