SHBA, NEW JERSEY - Trajnerët dhe kapitenët e Spanjës dhe Argjentinës dolën përpara medieve dhe publikut në prag të finales së madhe të Botërorit 2026, ku vëmendja kryesore ishte te përballja mes dy prej kombëtareve më të forta të turneut.

Përveç konferencave tradicionale për shtyp, këtë vit FIFA organizoi një aktivitet si pjesë e 'Fanatics Fest', një festival sportiv plot yje që u mbajt në Qendrën Javits në Manhattan. Në vend të gazetarëve, trajnerëve dhe lojtarëve nga Argjentina dhe Spanja iu drejtuan pyetje nga personazhe të famshëm si Tom Brady, Novak Djokovic, Kevin Durant dhe Rio Ferdinand, i cili ishte bashkëprezantues i aktivitetit me komedianin Kevin Hart. Publiku i pranishëm përbëhej nga tifozë që paguan për hyrjen.

Gjatë fjalës së trajnerit të Spanjës, Luis de la Fuente, publiku ndërhyri disa herë me brohoritje dhe fërshëllima, duke e ndërprerë konferencën. Kamerat fokusuan Lionel Messin të sikletosur duke parë drejt tifozëve, ndërsa reagimi i tij u interpretua nga shumë si pakënaqësi ndaj mungesës së respektit gjatë momentit kur fliste trajneri kundërshtar.

“Çfarë po bëni?”, iu drejtua de la Fuente tifozëve. “Që në moshë të vogël më kanë mësuar të jem respektues ndaj të gjithëve. Duhet ta kujtojmë këtë dhe të tregojmë gjithmonë respekt.”

Përtej këtij episodi, ajo që spikati ishte vlerësimi i madh që trajneri spanjoll shfaqi për Argjentinën dhe për vetë Messin. De la Fuente shmangu çdo polemikë dhe foli me shumë respekt për trajnerin kundërshtar Lionel Scaloni, me të cilin ka edhe një histori njohjeje.

Dy trajnerët janë takuar që në vitin 2017, kur de la Fuente ishte instruktor në kohën kur Scaloni ndiqte kursin për licencën profesionale të trajnerit.

“Janë dy skuadra të nivelit më të lartë, me shumë ngjashmëri në mënyrën se si luajnë dhe në talentin që kanë në përbërje. Besoj se do të jetë një ndeshje e shkëlqyer”, deklaroi de la Fuente.

Sipas tij, objektivi i të dyja skuadrave është që në finale të fitojë futbolli i bukur.

“Argjentina dhe Spanja kërkojnë një ndeshje ku shkëlqimi, talenti dhe cilësia e futbollit të mbizotërojnë mbi çdo faktor tjetër.”

Trajneri spanjoll pati edhe fjalë të veçanta për Lionel Messin, të cilin e cilësoi një lojtar unik dhe një shembull për brezat e rinj, duke përmendur edhe talentin spanjoll Lamine Yamal.

I pyetur se si Spanja do të tentojë ta ndalë Messin, de la Fuente kujtoi me humor një episod nga e kaluara.

“Kur shkuam në Barcelonë për të luajtur në Kupën e Spanjës, kisha dëgjuar shumë për një djalë të quajtur Messi. Vendosëm ta markonim 'një për një' që në fillim. Por kur lojtari ynë mori karton të verdhë, e zëvendësova. Brenda 15 minutash, Messi kishte shënuar katër gola”, tregoi ai.

Finalja pritet të jetë një përballje mes dy shkollave të mëdha të futbollit, me Spanjën dhe Argjentinën që kërkojnë trofeun më të rëndësishëm të këtij sporti. Kujtojmë se Argjentina është mbajtësja në fuqi e trofeut, teksa djemtë e rinj të Spanjës kërkojnë t'i ulin nga froni.

Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.

Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:12
'Spanja më shqetëson sapo del me autobus nga hoteli', Scaloni: Messi është futbollisti më i madh që ka parë bota

1784376792_lionelscaloni.JPG

Trajneri kampion bote me Argjentinën në 'Katar 2022', Lionel Scaloni, po i përjeton edhe katër vite më pas të njëjtat emocione. Sërish në stolin e 'Albiceslestes', Scaloni do të sfidohet nga Spanja e mikut të tij Luis de la Fuente në finalen e Kupës së Botës 2026, e cila do të zhvillohet të dielën në orën 21:00.

Scaloni foli për përgatitjet, rivalin, Messin, tifozët dhe pritshmëritë.

"Ne përgatitemi në të njëjtën mënyrë si për çdo ndeshje tjetër. Jemi të etur që gjithçka të shkojë mirë, të gatshëm të analizojmë kundërshtarin dhe të shohim çfarë mund të bëjmë gjatë ndeshjes. Përtej faktit që është një finale, mbetet një ndeshje futbolli", tha ai.

Lionel Scaloni thekson se çfarë i duhet Argjentinës për të pasur sukses.

"Duhet të jemi në nivelin tonë më të mirë për të fituar. Nuk hyjmë në ndeshje duke menduar se është një finale e Kupës së Botës, sepse përndryshe mund të humbasësh përqendrimin. Do të shohim çfarë do të ndodhë", vijoi trajneri.

Ai analizoi edhe formën aktuale të skuadrës.

"Mendoj se ekipi ka treguar gjëra shumë pozitive, sidomos në ndeshjet e fundit. Pjesa e dytë kundër Anglisë ishte shumë e mirë. Besoj se jemi në një gjendje të mirë, megjithëse gjithmonë ka gjëra për të përmirësuar. Do të përpiqemi të fitojmë finalen", tregoi Scaloni.

Natyrisht, ai vlerësoi pasionin e tifozëve argjentinas.

"Kur sheh njerëzit e tu duke festuar, kur sheh sa të lumtur janë, kjo të prek thellë dhe është e pamundur të mos e ndjesh në zemër. Në fund të fundit, siç e kam thënë edhe më parë, ne luajmë për ta. Luajmë për popullin tonë, për familjet tona.

Për ata që presin të shohin kombëtaren. Kemi rikthyer diçka që besoj se është shumë e çmuar, njerëzit ulen para televizorit me fanellën e Argjentinës veshur dhe një tifoz i River Plate përqafon një tifoz të Boca Juniors. Ne e ndiejmë këtë dhe e mbajmë gjithmonë në mendje. Si mund të mos të prekë?", tha ai.

Scaloni foli edhe për ngjashmëritë dhe dallimet mes Spanjës dhe Argjentinës.

"Luis më njeh si njeri, por nuk e di se si e shoh unë futbollin. Ne e dimë si luajnë ekipet tona, por nuk kemi diskutuar kurrë për mënyrën se si ndërtojmë lojën. Secila skuadër ka veçoritë e veta, por kemi një qasje të përbashkët, sulmojmë duke mbajtur topin.

Kemi modele të ngjashme loje. Forcën tonë e ndërtojmë përmes kontrollit të topit dhe në këtë aspekt, është e vërtetë që ngjajmë. Shpresoj që të dielën të jetë një spektakël i madh", tregoi ai.

Ai është skeptik për rëndësinë e përvojës në një finale.

"Edhe Spanja ka lojtarë që kanë luajtur në skena të mëdha, futbollistë të nivelit më të lartë në klubet e tyre. Kur topi fillon të rrotullohet, lojtari harron gjithë presionin dhe gjithçka tjetër. Nuk mendoj se përvoja është një avantazh apo një pengesë. Janë dy ekipe që, sapo zbresin në fushë, përpiqen të luajnë futbollin e tyre përmes zotërimit të topit", tha Scaloni.

Trajneri argjentinas tha se e ka studiuar me kujdes kundërshtarin.

"Po, i kemi analizuar sepse mund të përballeshim me ta që në mars (Finalissima), por jo më shumë se ekipet e tjera. Kemi studiuar të gjithë kundërshtarët e mundshëm të Kupës së Botës që prej dhjetorit. Kishte shumë skuadra që i analizuam në rast se do të luanim kundër tyre. Gjithsesi, analizimi i tepërt nuk është i mirë. E dimë si luajnë, i njohim pikat e tyre të forta dhe do të përpiqemi t'i pengojmë", vijoi Scaloni.

Sipas tij, te Spanja çdo gjë mund të jetë shqetësuese.

"Nuk do t'ju tregoj çfarë i thashë de la Fuentes, sepse ishim në një situatë krejt të pazakontë, në mes të askundit. I thashë se kisha ardhur vetëm për ta takuar, përndryshe nuk do të kisha shkuar. Gjëra të tjera nuk mund t'i tregoj. Çfarë më shqetëson më shumë te Spanja? Edhe autobusi që del nga hoteli më shqetëson. Janë një ekip i madh, një kombëtare e jashtëzakonshme. Po kalojnë një periudhë shumë të mirë me Luisin dhe jam i lumtur për ta", tregoi ai.

Scaloni nuk deshi të komentonte nëse kjo do të jetë Kupa e fundit e Botës për Lionel Messin.

"Si mund ta di unë? Duhet ta pyesni atë. Nuk kam asnjë ide, sepse ai nuk resht së na surprizuari. Kjo është një pyetje për të."

Ai vlerësoi edhe paraqitjen e Messit në moshën 39-vjeçare.

"Ai është histori e pastër. Histori, legjendë... Kur ai thotë ato fjalë, kur ato dalin nga goja e tij, më mbush me krenari. Që futbollisti më i madh që ka parë ndonjëherë bota të mendojë kështu, është diçka e mrekullueshme.

Të arrish në një finale në moshën 39-vjeçare është diçka e pabesueshme. Prandaj kam thënë se duhet ta shijojmë këtë moment dhe ta vlerësojmë atë që po bën. Historia dhe legjenda është ai, por edhe ky grup lojtarësh që na kanë dhuruar vite të mrekullueshme.

Edhe pse shumë njerëz mendojnë se futbollistët argjentinas e kanë të lehtë ta arrijnë këtë, në të vërtetë është jashtëzakonisht e vështirë. Në një bisedë i thashë: ajo që keni bërë është e pabesueshme. Stafi ynë teknik do t'ju jetë përjetësisht mirënjohës. Shpresojmë të fitojmë, por edhe nëse nuk ndodh, rrugëtimi ka qenë i jashtëzakonshëm. Një shembull për të gjithë", përfundoi bisedën për mediet trajneri i Argjentinës.

Ora 12:02
FIFA zyrtarizon kohëzgjatjen e pushimit në finalen e Botërorit, do të jetë 17 minuta

1784368972_boterori2026.JPG

FIFA ka zbardhur një nga detajet më të diskutuara në prag të finales së madhe të Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, që do të zhvillohet këtë të diel në stadiumin “MetLife” në New Jersey.

Pushimi mes dy pjesëve të finales nuk do të jetë më i gjatë se zakonisht dhe do të zgjasë vetëm 17 minuta, sipas njoftimit zyrtar të organizatorëve të turneut.

Ky është vetëm dy minuta më shumë se koha standarde e pushimit në një ndeshje futbolli, e përcaktuar nga rregullorja e IFAB-it.

FIFA ka bërë të ditur se shfaqjet muzikore të planifikuara gjatë pushimit do të zgjasin rreth 11 minuta, ndërsa koha e mbetur do të përdoret për montimin dhe çmontimin e skenës, si edhe për mirëmbajtjen e fushës, përfshirë ujitjen e barit.

Vendimi vjen pas diskutimeve të shumta rreth ceremonisë së spektaklit në finalen e Botërorit dhe ndikimit që mund të kishte në ritmin e ndeshjes. Kështu, Spanja dhe Argjentina do të kenë një ndërprerje pak më të gjatë se një ndeshje normale, por jo një pushim të zgjatur që mund të ndryshojë ndjeshëm rrjedhën taktike të finales.

Shakira, BTS, Justin Bieber. Një formacion i mbushur me yje është gati

Programi i shfaqjes është absolutisht gjigant. Mbretëresha e popit Shakira, Justin Bieber, Madonna dhe grupi korean me famë botërore BTS janë gati të performojnë. Atyre do t'u bashkohet Burna Boy, dirigjenti i njohur Gustavo Dudamel dhe Kori i PS22, i udhëhequr nga Chris Martin i Coldplay. Kjo shfaqje e madhe do të organizohet për të promovuar 'Fondin Global të Arsimit Qytetar të FIFA-s', i cili synon të mbledhë 100 milionë dollarë amerikanë për edukimin e fëmijëve dhe zhvillimin e futbollit.

Ora 11:44
Luis de la Fuente rrëfen 'makthet' përpara finales: Helikopteri dhe Messi, më ka shënuar katër gola për 30 minuta

1784367918_luisdelafuente.JPG

Luis de la Fuente ka zbuluar disa nga shqetësimet e tij në prag të finales së madhe të Botërorit, ndërsa trajneri i Spanjës ka treguar se një prej gjërave që e ka bërë nervoz është udhëtimi me helikopter drejt qendrës stërvitore.

Trajneri spanjoll pranoi se fluturimi me helikopter nuk është një eksperiencë që e përjeton qetësisht dhe se do të duhet ta bëjë sërish rrugën e kthimit në të njëjtën mënyrë.

“Jam pak nervoz sepse do të kthehemi në hotel me helikopter. Erdhëm këtu me helikopter dhe do të kthehemi përsëri me të njëjtën mënyrë. Për këtë arsye jam pak në ankth”, u shpreh de la Fuente gjatë konferencës për shtyp.

Megjithatë, tema kryesore e pyetjeve të gazetarëve ishte finalja e madhe e Botërorit 2026 kundër Argjentinës dhe mbi të gjitha përballja me Lionel Messin. Trajneri spanjoll tregoi një episod nga e kaluara, kur kishte përballë yllin argjentinas dhe ku Messi i kishte dhënë një mësim të paharrueshëm.

“Messin e njoh shumë mirë. Kur isha trajner i të rinjve të Sevillas, ai ishte kundërshtari ynë. Vendosa një lojtar për ta markuar nga afër. Për 70 minuta Messi nuk bëri asgjë, por sapo zëvendësova lojtarin që e mbulonte sepse u ndëshkua, ai na shënoi katër gola”, rrëfeu 65-vjeçari.

Pavarësisht këtij kujtimi, de la Fuente bëri të qartë se Spanja nuk do të aplikojë një markim special ndaj kapitenit argjentinas në finale.

“Për të dielën, asnjë lojtar i Spanjës nuk do të ketë një detyrë specifike për të ndjekur Messin. Ne do të luajmë si skuadër. Por gjithashtu i them Argjentinës që duhet të ruhen nga lojtarët tanë”, deklaroi trajneri spanjoll

De la Fuente e sheh si privilegj arritjen në këtë finale.

“Është një privilegj të jesh në finale. Për mua, gjëja më e rëndësishme është ta fitosh atë. Do ta pranoja me kënaqësi të arrija çdo vit në finale, edhe nëse do ta humbisja. Tani do ta shijojmë këtë moment me forcat dhe cilësitë tona përballë një kundërshtari që ka bërë një rrugëtim spektakolar”, u shpreh De la Fuente.

Trajneri qetësoi tifozët edhe për gjendjen e talentit Lamine Yamal, duke konfirmuar se sulmuesi është plotësisht i gatshëm për finalen.

“Lamine është mirë dhe në formë perfekte fizike”, deklaroi trajneri.

Ai zbuloi se ka kërkuar këshilla nga Vicente del Bosque, njeriu që udhëhoqi Spanjën drejt triumfit në Kupën e Botës 2010.

“Ai është një njeri i mençur i futbollit. E ka përjetuar këtë situatë dhe nuk ka njeri më të përshtatshëm për të dhënë këshilla”, tregoi trajneri.

Në fund, ai vlerësoi edhe homologun e tij Lionel Scaloni, të cilin e konsideron mik.

“Mendoj se kemi shumë gjëra të përbashkëta. Unë dhe Scaloni ndajmë të njëjtat koncepte, vlera dhe parime që frymëzojnë të dyja kombëtaret. Për këtë arsye pres një finale të madhe”, përfundoi trajneri i iberikëve.

Spanja ka një rekord prej 37 ndeshjeve radhazi pa humbje. Disfata e tyre e fundit ishte kundër Kolumbisë në marsin e vitit 2024. Spanja dhe Argjentina do të përballen në finale të dielën në orën 21:00 me kohën në Shqipëri për trofeun e Kupës së Botës 2026.