Tirana 1-2 Partizani në derbi, bardheblutë 'agjërojnë' prej shtatë ndeshjesh! Djemtë e Fagut komplikojnë pozitat për 'Final 4', Maguette hero

Rezultati final/ Tirana 1-2 Partizani (Abazaj 41' Maguette 15', 90+3')

TIRANË - Tirana humbi 1-2 me Partizanin në derbin e kryeqytetit në "Air Albania", sfidë kjo e vlefshme për raundin e 33-të në Superligën e futbollit. Prej 19 muajsh, përkthyer në shtatë ndeshje, Tirana nuk ia del të marrë tri pikë kundër "Demave". Pesë fitore për Partizanin dhe dy barazime, ndërsa Tirana komplikon pozitat për zonën "Final 4" dhe për momentin është jashtë garës për titullin kampion. Maguette bëri heroin për "Demat" me dopietë, ndërsa Abazaj shënoi te bardheblutë duke barazuar përkohësisht. Të dyja skuadrat e mbyllën ndeshjen me dhjetë lojtarë. Nga katër derbit e këtij sezoni, Partizani ka fituar tre dhe një ka përfunduar në barazim.

Ndeshja në "Air Albania" nisi me dhjetë mijë tifozë që dhuruan një atmosferë të mirë me koreografitë respektive. Tifozët në stadium do shijonin golin e parë pas vetëm 15 minutave lojë, me Maguette që kaloi në epërsi Partizanin pas një supergoli nga 25 metra largësi.

Tirana "u zgjua" dhe provoi të reagonte, teksa Abazaj si fillim goditi traversën e mbrojtur nga Pano Qirko. Sulmuesi i Tiranës korrigjoi shënjestrën në të 42 minutë duke barazuar gjithçka dhe gëzuar pjesën bardheblu të stadiumit.

Pjesa e dytë ishte më agresive për Partizanin, teksa në minutën e 88-të Fjoart Jonuzi doli me karton të kuq pas dy të verdhëve dhe la të tijtë me një lojtar më pak. Vetëm pesë minuta pas këtij episodi, në shtesën e tretë Maguette realizoi sërish dhe i dha tri pikë Partizanit. Në fund karton i kuq edhe për Hadroj te 'Demat'. Kështu Orges Shehi fiton derbin me Partizanin, duke qenë një ish.

Pas javës së 33-të Partizani me 54 pikë mban vendin e tretë, ndërsa Tirana me 46 pikë pozitën e gjashtë dhe për momentin është jashtë "Final 4", zonës që të çon te ndeshjet shtesë dhe garën për titullin kampion sipas formulës së re aplikuar për herë të parë këtë kampionat.

Komentet e ndeshjes:

21:04 - Mbyllet 1-2 ndeshja.

20:59 - Maguette shënon golin e dytë në shtesë.

20:53 - Fjoart Jonuzi lë Tiranën me një lojtar më pak, kjo pas të kuqit pas dy kartonave të kuq.

20:25 - Gledi Mici i bën vend Najdovskit te Tirana.

20:10 - Nis pjesa e dytë.

19:54 - Mbyllet 1-1 pjesa e parë. Tetë minuta shtesë në fundin e 45 minutave të para.

19:45 - Arbitri Eldorjan Hamiti nxjerr Hoxhallarin me karton të kuq te Tirana. Ndërhyn VAR dhe pas pamjeve lezhjani anulon vendimin.

19:41 - Tirana barazon me Kristal Abazaj. Sulmuesi shënon me kokë dhe vendos ekuilibrat në derbi.

19:27 - Abazaj godet traversën te Tirana.

19:23 - Tedi Cara dëmtohet, Shehi fut Kekon te Partizani.

19:15 - Maguette zhbllokon ndeshjen me një supergol nga 25 metra. Partizani merr avantazhin.

19:00 - Nis ndeshja.

18:10 - Publikohen formacionet zyrtare:

Tirana: Kozi, Mici, Hoxhallari, Përgjoni, Lulaj, Haxhiu, Jonuzi, Deliu, Lushkja, Abazaj, Patrick

Partizani: Qirko, Buxhelaj, Sembene, Sotaj, Maguette, Murataj, Rrapaj, Taipi, Cara, Bintsouka, Mba

17:20 - Tanimë tifozët e dy ekipeve i janë drejtuar stadiumit, ndërsa grupimet kryesore shoqërohen nga policia për të shmangur çdo lloj incidenti dhe përplasje mes tyre. Gjithashtu policia prej ditës së djeshme ka treguar edhe planin e masave për këtë duel, me kontrollet që do jenë të rrepta dhe lëvizjen e kufizuar të mjeteve rreth stadiumit. Dyert e stadiumit janë hapur dy orë para dhe tifozët mund të futen.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:11
Olsi Rama lë mënjanë rivalitetin: Tirana meriton të jetë në 'Final 4'


Pas ndeshjes derbi Tirana 1-2 Partizani, për mediet foli drejtori sportiv i të kuqve, Olsi Rama. Ai lë mënjanë rivalitetin dhe thotë se Tirana për cilësitë që ka duhet të jetë në "Final 4".

"Jam shumë i lumtur për këtë fitore sot. Kjo fitore i dedikohet presidentit të nderit, Resul Demit. Ai është tifozi i parë i “Guerrilsave". Jam shumë i kënaqur, sepse janë dy fitore në dy derbi. Jam shumë i kënaqur nga Maguette, sepse tregoi nivelin e tij. Por nuk jam i kënaqur vetëm me atë. Stafi po arrin që fizionominë e tyre të lojës ta përcjellin edhe te lojtarët.

Duhet të jemi shumë të përgatitur për ato dy ndeshjet e fundit, sepse s’kam pasur kurrë dyshim që do të jemi aty. Mendoj që "Final Four" duhet të jetë me ekipet më të mira të Shqipërsë. Tirana i ka kualitetet dhe meriton të jetë aty. Këtë javë kemi një ndeshje (Skënderbeu) që unë e vlërësoj po aq të vështirë sa derbi. Shpresoj që ekipi që do ta fitojë, ta meritojë dhe shpresoj që të jemi ne", tha Olsi Rama.

Ora 21:58
Tirana 1-2 Partizani/  Erbim Fagu: T'i fitojmë të gjitha ndeshjet për 'Final 4'! Orges Shehi: Dominuan kundër një rivali historik


Partizani fitoi 1-2 kundër Tiranës në derbi duke komplikuar situatën e bardhebluve për në "Final 4". Pas ndeshjes për mediet folën edhe protagonistët e stolave.

Për trajnerin e Tiranës, Erbim Fagun, nuk ka mbetur më asgjë vetëm se të fitojnë tre ndeshjet e mbetura për të siguruar ndeshjet shtesë në "Final 4" për titullin kampion.

“Në radhë të parë më vjen keq për këtë humbje, sepse kemi zhvilluar një ndeshje të mirë. Shpresoj të luajmë kështu në këto ndeshje të mbetura, për të arritur objektivin tonë "Final 4". Presioni është prezent në ndeshje të tilla. Pas kartonit të kuq u prishën ekuilibrat.

Na mungoi edhe fati. U ndje lodhja fizike nga Kupa. E kishim një plan B, por u kushtëzuam shumë nga kartonët e verdhë që morën. Ndryshuam shpesh herë zëvendësimet që donim të bënim. Në çdo faull merrnim karton të verdhë, nuk e kuptoj këtë.

Kjo na kushtëzoi te zëvendësimet, sepse u munduam të hiqnim lojtarët që kishin karton të verdhë, për të shmangur daljen me të kuq. Patjetër që e mendojmë gjatë gjithë kohës "Final 4". Por për të arritur aty duhet të fitojmë të gjitha ndeshjet që na kanë mbetur. Nuk ka rrugë tjetër. Kam shumë besim, sepse në ndeshjet e fundit kemi luajtur shumë mirë. Kemi krijuar raste dhe kemi pasur stabilitet. Në tre ndeshjet e fundit do të japim gjithçka për gjithçka, sepse nuk kemi çfarë të humbim", tha Fagu.

Nga ana tjetër, Orges Shehi i Partizanit mundi ish-ekipin e tij duke thënë se dominuan.

“Është një fitore e rëndësishme. Fitore përballë një rivali historik. Për mua më të rëndësishëm janë ata që janë në stol se sa ata që e nisin nga fillimi. Kur ndërrimet bëhen shpejt për çështje dëmtimesh, çekuilibrohesh. Mendoj që kemi fituar një ndeshje të dominuar.

Fitorja është për të gjithë tifozët, por në veçanti për presidentin tonë. Babai i tij është në një gjendje kritike, kështu që këtë fitore ia dedikoj atij. Ka qenë periudhë që asnjëherë nuk kemi qenë të plotë. Vetëm në Rrogozhinë.

Kur ke kontigjent të plotë, nuk ke dyshime dhe kërkon të implementosh atë që ti kërkon. Jam i kënaqur me atë që skuadra po jep. Po e kuptojnë që është fazë e rëndësishme dhe po tregojnë karakter dhe uri për fitore.

Maguette është lojtari ynë pothuajse më i rëndësishëm. Kur ke performanca të tilla ofertat janë të pranishme. Por ne nuk prishim çdo gjë për të transferuar lojtarët. Mbetet për t’u parë", tha durrsaku.

Ora 18:21
FOTO/ Organizatorët ndalin problemet, hiqen stolat e 'Air Albanias' para derbit


Derbi Tirana - Partizani do e gjejë stadiumin "Air Albania" pa stola në pjesën pas portave, aty ku qëndrojnë edhe tifozët ultras të të dyja skuadrave. Organizatorët kanë marrë masa që sharjet mos nisin konflikte me sende të forta si në ndeshjet e kaluara, duke ruajtur edhe thyerjen e stolave, që është kthyer në një "traditë" tanimë. Edhe për shkak se një stol vlerësohet 100 euro dhe klubet respektive duhet të paguajnë dëmet, ulëset janë hequr nga pjesët pas porte.

Ora 18:10
Derbi Tirana - Partizani, mësoni formacionet zyrtare


Tirana dhe Partizani luajnë këtë mbrëmje në 19:00 në "Air Albania". Trajnerët Erbim Fagu dhe Orges Shehi kanë bërë publike edhe formacionet zyrtare të sfidës.

Formacionet zyrtare:

Tirana: Kozi, Mici, Hoxhallari, Përgjoni, Lulaj, Haxhiu, Jonuzi, Deliu, Lushkja, Abazaj, Patrick

Partizani: Qirko, Buxhelaj, Sembene, Sotaj, Maguette, Murataj, Rrapaj, Taipi, Cara, Bintsouka, Mba

S.DH/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tifozi: 28/04/2024 18:36

    Tani i erdhen mendte FSHF qe te heqin stolat se ky popull vetem me dajak merr vesh kete ta bejne edhe kur derbi zhvillohet ne te ftohtin e dimrit qe tju mberdhijne prapanicat dhe pastaj i thyejne me stolat?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: 'Provokacja nr 2', pas Beogradit, Edi Rama hap çështjen shqiptare edhe në Athinë!

Ylli Pata: 'Provokacja nr 2', pas Beogradit, Edi Rama hap çështjen shqiptare edhe në Athinë!