BRAZIL - Nicolas Bosshardt (19 vjeç), mbrojtësi i majtë i Sao Paulos, po përballet me akuzën se ka përplasur për vdekje Paulo Rodrigues, 84 vjeç. Ngjarja ndodhi në Barueri, në periferi të qytetit të Sao Paulos, kryeqyteti i shtetit me të njëjtin emër.

Futbollisti po hetohet gjithashtu për pjesëmarrje në një garë të paligjshme me automjete në rrugë publike. Prokuroria e ka ngritur këtë dyshim bazuar në dëshminë e një kalimtari. Mbrojtësi 19-vjeçar u arrestua në flagrancë natën e së hënës, më 3 gusht dhe u lirua ditën pasuese pas seancës për vlerësimin e ligjshmërisë së arrestimit.

Gjykata vendosi lirimin e tij, duke e konsideruar të mjaftueshme masën e 'detyriit tw paraqitjes'. Sipas gjyqtares Marilia Bonafe Froment, ekzistojnë prova materiale për ngjarjen dhe indicie të mjaftueshme për ta hetuar futbollistin për pjesëmarrje në një garë të paligjshme dhe për vrasje nga pakujdesia në qarkullimin rrugor. Megjithatë, sipas saj, sjellja e futbollistit nuk paraqet një shkallë të tillë rrezikshmërie që të justifikojë paraburgimin.

Gjykata vendosi që ai të paraqitet çdo muaj në gjykatë, të mbajë të përditësuar adresën e banimit dhe të mos largohet nga vendbanimi për më shumë se tetë ditë pa njoftim paraprak. Gjithashtu, iu pezullua patenta e drejtimit.

Testi i alkoolit rezultoi negativ - Nicolas dhe avokatët e tij mohojnë se ai ka marrë pjesë në ndonjë garë të paligjshme. Ata pretendojnë gjithashtu se viktima po kalonte rrugën jashtë vijave të bardha dhe në një vend ku kalimi nuk lejohej. Sipas tyre, Nicolas qëndroi në vendngjarje, thirri shërbimet e emergjencës dhe më pas u paraqit vetë në stacionin e policisë. Në dëshminë e tij, futbollisti mohoi gjithashtu se po drejtonte automjetin me shpejtësi të lartë.

Karriera - Nicolas Bosshardt është 19 vjeç. Që nga viti 2018 është pjesë e Sao Paulos, ku ka kaluar nëpër të gjitha ekipet e moshave deri te skuadra U-20. Ai ka fituar dy herë Kupën e Brazilit për U-20, në vitet 2024 dhe 2025, duke shënuar një gol në finalen kundër América Mineiro.

Ai ka zhvilluar edhe një periudhë prove te Stuttgarti në Gjermani, duke tërhequr vëmendjen e vëzhguesve të Barcelonës. Përveç shtetësisë braziliane, ai ka edhe shtetësi zvicerane dhe ndiqet nga përgjegjësit e ekipeve kombëtare të moshave të Zvicrës. Madje është ftuar nga Federata Zvicerane e Futbollit dhe ka udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë Kupës së Botës 2026 për të ndjekur ndeshjen e parë të kombëtares zvicerane në turne.

Në vitin 2025, me kombëtaren U-20, ai zhvilloi 40 ndeshje, shënoi 10 gola dhe dha 11 asistime, paraqitje që i siguruan kalimin në futbollin profesionist nën drejtimin e Hernan Crespos. Deri tani, me ekipin e parë të Sao Paulos, ai ka regjistruar shtatë paraqitje.