SPANJË - Dani Alves u shpall përfundimisht i pafajshëm më 28 mars 2025, pas tri vitesh proces gjyqësor dhe 14 muajsh burg për akuzën e sulmit seksual në një klub nate në Barcelonë. Sot, jeta e tij ka marrë drejtim krejt tjetër. Ai është pajtuar me partneren Joana Sanz dhe çifti ka njoftuar se presin një fëmijë.

Në orët e fundit ai është bërë përsëri subjekt i shumë postimeve në rrjetet sociale. Konkretisht, ish-futbollisti i Barçës dhe Juves mori pjesë në një ceremoni në kishën ungjillore të Elim Girona dhe mbajti një fjalim të gjatë dhe të përzemërt, duke dëshmuar se kishte bërë "një pakt me Zotin".

"Duhet të keni besim, unë jam prova e kësaj. Sepse atë që Zoti premton, e përmbush", shprehet Alves nën duartrokitjet e anëtarëve të kishës. "Dashuria është të duash kur dikush nuk e meriton", shton ish-futbollisti, duke i’u referuar Zotit.

“Në mes të stuhisë, u shfaq një lajmëtar i Zotit. Ai më çoi në Kishë dhe në shteg, dhe sot jam këtu falë tyre”, tha ai.

Ai zbuloi gjithashtu se gjatë kohës së tij në burg, bëri një pakt shpirtëror: “I kërkova Zotit të kujdesej për shtëpinë time dhe zemrat e njerëzve që nuk do të më braktisnin. Dhe premtova t'i shërbeja Atij.”

Në muajt e fundit, rrjetet e tij sociale janë mbushur me vargje biblike dhe mesazhe fetare. Duket se më në fund Alves ka gjetur qetësinë e munguar.