SHKODËR - Stuhia me reshje të dendura shiu dhe ere që përfshiu rrethin e Shkodrës mbrëmjen e së dielës, ka lënë pas dëme të shumta, ndërsa më e goditura nga kjo stuhi është komuna e Berdicës.
 
Sipas zyrtarëve të kësaj komune janë rreth 570 banesa dhe 49 biznese të dëmtuara. Fatmirësisht nga gjithë këto dëme nuk ka pasur lëndime në njerëz, ndërsa dëmet përllogariten të konsiderueshme.

 
era ne shkoder
era ne shkoder

Ndërkohë kryekomunari i Bërdicës, Besnik Brahimi evidenton se kjo njësi vendore ka ngritur grupet e punës për verifikimin e dëmeve, ndërsa i bën thirrje emergjencave civile dhe qeverisë të dëmshpërblejë këtë banorë të cilët akoma nuk janë dëmshpërblyer për përmbytjet e 2010- es.

Në komunën e Berdicës shumë banesave u janë thyer xhamat, një kalçeto është shkatërruar plotësisht, dyqaneve u janë shkatërruar grilat si dhe disa stalla bagëtish janë dëmtuar.
 
Gjithashtu linjat e energjisë elektrike kanë pësuar dëmtime të shumta dhe aktualisht rezultojnë pa energji disa komuna të Nën-Shkodrës, si Berdica, Dajçi dhe Bushati. 

Fermerëve të Bërdicës u janë dëmtuar edhe serat, të cilave u është shkatërruar plastmasi dhe të mbjellat. Nuk i ka shpëtuar stuhisë as teqeja bektashiane në hyrje të qytetit të Shkodrës, të cilës i ka rënë mbi kupolë një tabelë reklamuese që ishte e vendosur në rrugë.
 

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)