SARANDË- Bregdeti i Sarandës këtë të martë ‘mikpriti’ miq të rinj. Kroçerja luksoze “Explorer of the Seas Cruise” ka mbërritur për herë të parë në brigjet e detit Jon. Në brendësi të kësaj anijeje super luksoze, duket një “botë më vete”. Aty mund të gjesh gjithçka, kafene, bare, restorante, pishina e shumëçka që u duhet pushuesve eksploratorë.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri Rama i cili ka publikuar videon në rrjete sociale ku shkroi se Saranda këtë vit pritet të ketë rekord vizitorësh.
“2700 turistë nga e gjithë bota mbërrijnë në Sarandë me të famshmen “Explorer of the Seas Cruise”, duke u prezantuar për herë të parë me kartolinën e bregdetit shqiptar që edhe këtë verë po mikpret shifra rekord vizitorësh.”- shkruan Rama.