Kryeministri Edi Rama ka bërë një deklaratë të fortë sot në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, teksa debatonte me Jorida Tabakun.
Në momentin që kjo e fundit përmend Lefter Kokën, i cili është në burg për shpërdorim detyre dhe korrupsion, kryeministri i thotë se një ditë mund të jetë edhe Lulzim Basha në burg dhe se ai nuk do e përmende kurrë 'kur ai të jetë atje'.
"Mos përmend Lefterin se nuk është etike, mund të jetë Luli një ditë atje në burg, mbaje mend, unë kurrë nuk kam me ta përmend Lulin kur të jetë atje, kurrë", tha Rama.
I gjithë debati ka ndodhur kur mikrofonat e Ramës dhe Tabakut kanë qenë të fikur, megjithatë çdo gjë dëgjohet mjaft qartë. Të jetë ky një paralajmërim për Bashën?
Kujtojmë se SPAK prangosi ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka për dosjen e shumëpërfolur, atë të inceneratorit në Elbasan. SPAK e akuzon Lefter Kokën për shpërdorim të detyrës, pastrim të parave dhe korrupsion, tre akuza të rënda me të cilat ish-ministri tashmë do nisë betejën e tij me drejtësinë, teksa janë sekuestruar edhe kompanitë "Albtek Energy”, pra inceneratori i Elbasanit, “Integrated Technology Services” si edhe aksionet e Kokës në “Kantinën e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu”. Nga ana tjetër, janë shpallur në kërkim edhe Stela Gugalli, e cila në sistemin TIMS rezulton se është jashtë shtetit si dhe Klodian Zoto.