Mediat greke kanë publikuar pamje nga kuverta e anijes së peshkimit që u mbyt në mënyrë tragjike në ujërat e Pylos, në Kallamata të Greqisë.
Pamjet janë tronditëse. Qindra emigrantë, siç shihet edhe në video, janë ulur pranë njëri-tjetrit, me gjunjë të shtrënguar në gjoks.
Shumë prej pasagjerëve bëjnë shenjën e fitores para kamerës. Një pamje tjetër tregon një burrë duke mbajtur një shishe me ujë dhe disa biskota.
Në sfond shihen disa gra dhe fëmijë të vegjël.
Të mbijetuarit kanë treguar se në bord ka pasur rreth 700 persona, ndërsa janë gjetur trupat e rreth 80 prej tyre. Shpresat për të gjallë, sikurse thonë autoritetet, janë zhdukur.
Deri më tani të paktën 78 persona janë konfirmuar të vdekur dhe shumë të tjerë janë deklaruar të zhdukur.