GJIROKASTER - Është vënë në pranga roja i një firme private sigurie, e cila kishte marrë përsipër ruajtjen e godinës së Universitetit të Gjirokastrës “Eqerem Çabej”, ku u vodhën dokumente të rëndësishme.

Policia e Gjirokastrës ka bërë të ditur se ka vënë në pranga shtetasin Irfan Gërxholli, i cili ka qenë me shërbim natën që është kryer vjedhja. 46-vjeçari akuzohet për shpërdorim detyre dhe vjedhje.

Ndërkaq policia ka vendosur të hetojë në gjendje të lirë dy punonjës të tjerë të firmës së sigurisë, që ruanin ambientet e Universitetit në Gjirokastrës. Edhe ata akuzohen për të njëjtën vepër penale, “shpërdorim detyre”.

Policia u njoftua mëngjesin e së hënës për vjedhjen, pasi u konstatua se ishte gjetur e shkatërruar dritarja e zyrës së Burimeve Njerëzorë në Universitet.

Autorët e vjedhjes janë futur brenda dhe kanë hedhur përtokë dhe në lulishte dosje me dokumente të administratës dhe stafit akademik të brendshëm dhe pedagogëve të jashtëm, ku dhe kanë marrë prej andej një numër të konsiderueshëm dosjesh personale të pedagogëve.

Grupi hetimor pasi ka kryer veprimet në vendngjarje ka konstatuar se janë vjedhur 39 dosje personale të pedagogëve të Departamenteve të Ekonomikut dhe të gjuhëve të Huaja Anglisht.

(j.d/Gre.M/Shqiptarja.com)