Një market në lagjen nr. 17 në Durrës ka rënë pre e një vjedhjeje me dhunë gjatë ditës së sotme.

Autori, i identifikuar nga Policia, është një 26-vjeçar, Fabio Salillari, i cili ka qenë pa maskë dhe i paarmatosur në momentin e vjedhjes.

Përmes përdorimit të dhunës, duke kapur nga flokët arkëtaren, ai ka arritur të marrë nga kasa e marketit paratë e xhiros dhe është larguar nga vendngjarja.

Policia vijon kontrollet për kapjen e të riut, ndërkohë grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i Policisë:

Durrës/Informacion paraprak-Rreth orës 15:00, në lagjen nr. 17, një shtetas ka marrë me dhunë një shumë parash nga kasa e një marketi dhe është larguar.

Shërbimet e Policisë shkuan menjëherë në vendngjarje dhe si rezultat i veprimeve të shpejta, bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar, shtetasit F. S., rreth 26 vjeç, ku vijojnë kontrollet në zonë, me qëllim kapjen e tij.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.