Një targë CD e vjedhur disa ditë më parë në rrugën "Skënderbeg", njohur si Rruga e Ambasadave në Tiranë ka ngritur në këmbë Policinë e Tiranës. Një person, ende i paidentifikuar, mësohet se ka marrë targën diplomatike të ambasadës polake dhe është larguar. Policia, përmes pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë ka mundur të fiksojë autorin e dyshuar të vjedhjes, por deri tani ka qenë i vështirë identifikimi.

Ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë. Gazetari i Report Tv, Sokol Dema ka siguruar një foto nga kamerat e sigurisë të autorit të dyshuar të ngjarjes.

Policia e Tiranës është ngritur në këmbë për të zbuluar se kush është burri që ka arritur të vjedhë targën e makinës së ambasadës, dhe mbi të gjitha, cili mund të jetë qëllimi i tij.

Dyshimet e bluve të Tiranës janë se targa e vjedhur CD mund të përdoret për ndonjë ngjarje kriminale, siç vazhdimisht ka ndodhur në shumë raste, ku për atentate, autorët përdorin automjete me targa të vjedhura.  

1687510956_cd.jpg