4 punonjës të kompanisë Albpetrol janë arrestuar nga policia e Fierit pasi janë të përfshirë në një skemë të vjedhjes së naftës në zonën e Visokës. Dyshimet janë se nafta bruto mund të jetë vjedhur me autobotë, të cilët duhet të pomponin ujë në shtresat e nëntokës.

Policia e Fierit ka arrestuar 4 persona pasi dyshohet se janë përfshirë në një skemë të vjedhjes së naftës bruto në zonën naftëmbajtëse Visokë-Qafë e Kashit që janë nën administrimin e Albpetrolit. Efektivët e policisë të përfshirë në këtë operacion kanë bllokuar  edhe dy autobote, me të cilët dyshohej se vidhej nafta nga puset.  

Arjan Kallashi, 49 vjeç me detyrë kryetar i degës teknike  Albpetrol, Selami Rustemi, 54-vjeç pergjegjës për mbarëvajtjen e dhe pompimit, Dilaver Idrizaj 56-vjeç dhe Dashamir Merkaj 54 vjeç, të dy punonjës të task forcës në Albpetrol, janë arrestuar dhe çështja i ka kaluar prokurorisë.

Ka qenë Drejtori i Kabinetit i Albpetrol, i cili ka bërë kallëzimin pasi sipas tij këta persona kanë vepruar në kundërshtim me urdhrin e brendshëm të Drejtorit të kompanisë Alpetrol, duke transportuar një sasi të konsiderueshme me naftë dhe ujë teknologjik të marrë në depozitat e Usojës, e cila do të injektohej në puset e Kashit.

Nga hetimet dyshohet se nafta bruto mund të jetë vjedhur me autobotët që duhet të pomponin ujë në shtresat e nëntokës, një proces teknologjik që kryehet në puset e naftës.  Por personat e përfshirë në këtë skemë grabitjeje në vend të pompimit të ujit, përmes autobotëve kanë vjedhur naftën bruto. Grupi hetimor po vijon verifikimet për të parë nëse në këtë skeme vjedhjeje të naftës janë përfshirë edhe persona të tjerë.