FUSHE MILOT- Një çift bashkëshortësh nga Kosova humbi jetën, ndërsa u plagos rëndë djali i tyre, kur makina në të cilën udhëtonin doli nga rruga dhe u përplas me bordurën anësore.

Nnë orët e para të mëngjesit të sotëm çifti Tafil Sele, 41 vjeç dhe Feride Sele, 39 vjeçe po udhëtonin me makinën e tyre tip Chryzler me targa gjermane RVFQ91943 nga Kosova në drejtim të Durrësit ku kishin planifikuar të bënin pushimet. Rreth orës 04: 30 minuta të së mërkurës (31 korrik) në aksin Kukës- Milot, në vendin e quajtur Fushë Milot ndodhi aksidenti.

Drejtuesi i mjetit duhet të ketë qenë duke ecur me shpejtësi, pasi përplasja e makinës me bordurën anësore ishte aq e fuqishme sa bordurat janë dëmtuar në një gjatësi prej 4 metrash, dhe mjeti përfundoi jashtë aksit kryesor në një fushë të vogël. 

Tafil Sele humbi jetën në vend, ndërsa bashkëshortja vdiq në spitalin e Lezhës, ku ndodhet dhe djali i tyre Fatjon Sele. Mjekët thonë i plagosuri ndodhet në reanimacion në gjëndje të rëndë. Policia nis hetimet. Nga të dhënat e para mësohet se shkak i aksidentit është pagjumësia dhe shpejtësia me të cilën po udhëtonte drejtuesi i mjetit.
(sg/shqiptarja.com)