Vijojnë negociatat për heqjen e ekskluzivitetit të Aeroportit “Nënë Tereza”

/ATSH-Arbi Fortuzi/.- Qeveria shqiptare dhe drejtuesit e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës vijojnë negociatat për heqjen e ekskluzivitetit, me qëllim çeljen e aeroporteve të tjerë në territorin e Shqipërisë.
Gjatë ditës së sotme Zyra e Shtypit e Aeroportit "Nënë Tereza" bëri të ditur se për momentin nuk ka një marrëveshje përfundimtare dhe se institucioni në fjalë do të flas vetëm në momentin kur palët të bien dakord mbi mbylljen e këtij ekskluziviteti. "Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës vijon negociatat me qeverinë shqiptare në lidhje me kontratën e koncesionit. Një marrëveshje përfundimtare ende nuk është arritur, por në respekt të këtyre negociatave, TIA e gjykon të arsyeshme të shprehet publikisht vetëm në momentin e duhur", tha Arlinda Çausholli, Drejtoreshë e Komunikimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj më herët ka bërë të ditur se brenda dy javëve qeveria shqiptare dhe drejtuesit e aeroportit "Nënë Tereza" do të gjejnë një rrugë zgjidhje për heqjen e ekskluzivitetit, që ky aeroport ka në territorin e Shqipërisë.
"Së bashku me ministrin Haxhinasto besoj në krye të dy javëve do të deklarojmë zyrtarisht me konçesionarin që kemi rënë dakord për heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare. Dhe menjëherë pas kësaj mund të fillojmë me Kukësin dhe me procedurat e aeroportit të Vlorës apo Sarandës", deklaroi Ahmetaj.
Sipas ministrit ka kërkesa për aeroportin e jugut, ku të paktën katër kompani të ndryshme kanë shprehur interes për aeroport në Sarandë apo në Vlorë.

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Nadal mundet në finale e Swedish Open