Vijojnë "rrjedhjet" nga partia Bindja Demokratike!

Pas largimit të dy kandidatëve për kryetar Bashkie në Çorovodë dhe Lezhë, janë tërhequr nga gara edhe kandidatët për këshilltarë në qytetin e Fierit. Burime për Report TV bëjnë me dije se 21 kandidatë i kanë dorëzuar një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t'u tërhequr nga kandidimi. Nuk dihen ende motivet e këtij vendimi në bllok të kandidatëve për këshilltarë të partisë së drejtuar nga Astrit Patozi.

Më herët, vetëm pak orë pas regjistrimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si kandidat i BD-së për bashkinë e Lezhës, Salvador Kaçaj hoqi dorë në mënyrë të papritur nga gara duke e argumentuar se "e kanë "nxitur të rishikoj vendimin për të qenë kandidat", por pa e specifikuar se për kë bëhej fjalë.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me kandidatin në Çorovodë. Dejvis Hebibasi u tërhoq, ndërsa Fabian Topollaj akuzoi se shkak ishin presionet nga kandidati i PS-së.