IRAN- Për më shumë se 4 muaj, Irani është në flakë protestash të përgjakshme. Në trajtat e një revolucioni, duket se gratë janë me një synim të vetëm, të shpëtojnë nga patriarkati.
Por ky objektiv, ka shumë shkallë vështirësie që të arrihet.
Gjykata e Lartë e Iranit konfirmoi një tjetër dënim me vdekje për një pjesëmarrës në protestat që kanë tronditur vendin që nga shtatori, duke e çuar numrin e personave të dënuar në më shumë se 20.
Burri, i identifikuar si Mohammed B., u dënua si i akuzuar për plagosje të forcave të sigurisë me një armë. Sipas opinionit ligjor islamik në Iran, akuza ishte "luftë kundër Zotit", e cila dënohet me vdekje .Ai u akuzua gjithashtu për djegien e një ndërtese qeveritare.
Aktivistët e të drejtave të njeriut kanë denoncuar në mënyrë të përsëritur procedurat e shkurtuara ligjore. Pasi të konfirmohen nga Gjykata e Lartë, vendimet nuk mund të apelohen më.
Deri më tani, dy demonstrues janë ekzekutuar në Iran për përfshirjen e tyre në protesta. Sipas raporteve të mediave iraniane, më shumë se 20 protestues të tjerë janë në listën e dënimeve me vdekje të gjyqësorit.
Mbi 500 demonstrues janë vrarë në protesta, sipas grupeve të të drejtave të njeriut.
Goditja e dhunshme ndaj protestuesve dhe veçanërisht dy ekzekutimet u dënuan brenda dhe jashtë vendit.
Në fundjavë, forcat e sigurisë në qytetin kurd të Jaëanrud në veriperëndim të vendit goditën përsëri me dhunë një shërbim funerali për protestuesit e vrarë.
Protestat e përgjakshme në Iran e kanë zanafillën në shtator të 2022, kur pa të drejtë Policia e Moralit vrau një 22-vjeçare me argumentin se nuk kishte vendosur në mënyrë korrekte hixhabin.
Gruaja kurde iraniane ishte arrestuar nga e ashtuquajtura policia e moralit për shkelje të kodit islamik të veshjes së vendit.