TIRANË- Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit ka nisur që në orët e para të mëngjesit aksionin për shembjen e banesave në Shkozë. Gjatë ditës së sotme janë shembur edhe dy banesa të tjera, ndërkohë që banorët nuk kanë krijuar tensione, pavarësisht se për mikrofonin e Report Tv e kanë quajtur të paligjshëm këtë aksion.

Por pavarësisht kundërshtimit, ata kanë liruar banesat nga orenditë shtëpiake, duke i paraprirë shembje së paralajmëruar një ditë më parë.

E gjithë zona ka qenë e rrethuar nga forca të shumta policie dhe të FNSH-së për të shmangur përplasjet mes banorëve dhe punonjësve të IKMT-së.

Më herët banorët janë shprehur se nuk janë kundër shembjes së banesave,por kërkojnë dëmshpërblim.

Banesat preken nga devijimi i Lanës në kuadër të projektit të Unazës së Re. Një ditë më parë u shemb edhe një banesë tjetër, pavarësisht kundërshtimit të banorëve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:55
Shembja e banesës në Shkozë/ Pronari: Nuk dimë ku do qëndrojmë! Kam hapur gjyq ndaj ALUIZNI-t dhe ARRSH-së (VIDEO)

Pronari i një prej banesave që u shemb sot nga IKMT ka deklaruar se aksioni është tërësisht i jashtëligjshme për sa kohë ai është në një proces gjyqësor me ARRSH dhe ALUIZININ për procesin e legalizimit të banesës. Ai tha se ka bërë kërkesë për legalizim që në 2006 dhe përgjigja negative i ka ardhur vetëm një vit më parë.

"Sot kanë prishur shtëpinë dhe më pas na kanë dhënë dokumentin. Nuk e dimë se ku qëndrojmë. Se kam idenë se çfarë hapash do ndërmarrim. Nuk mund të prishet banesa pa të drejtë. Kam aplikuar për legalizim por nuk ma dhanë. Vetëm shtëpia ime nuk u legalizua. Banoj këtu. Kam hapur gjyq kundër ALUIZNIT dhe ARRSH-së.Që në 2006 i kam nisur letrat për legalizim, dhe më kthyen përgjigje në vitin 2018. Projekti ka ardhur pasi kam bërë shtëpinë unë", u shpreh banori.

Ora 12:53
Prishja e banesa në Shkozë/ Ish-deputeti i PD: Ky është pushtim, në asnjë të vend të botës nuk ndodh kjo gjë (VIDEO)

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Aldo Bumçi ka shkuar në mbështetje të banorëve të Shkozë të cilët kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre që preken nga projekti i Unazës së Re. Bumçi tha se ky është një pushtim sepse banesa është një e drejtë themelore.

"Ky është pushtim. Ka vetëm një zgjidhje që ta rrëzojmë. Ku ndodh tjetër kjo që të prishet shtëpia. Banesa është e drejtë themelore. Nëse ke vënë çati nuk ta prish dot, ndërsa këtu ndodh e kundërta", tha Bumçi

Ora 09:57
Projekti i Unazës së Re, shemben dhe dy banesa në Shkozë (FOTO)

Inspektorati Kombëtar i Mjedisit dhe Territorit ka nisur prej orëve të para të mëngjesit aksionin për prishjen e ndërtesave në Shkozë, të cilat preken nga projekti i Unazës së Madhe. Siç shihet nga fotot dhe video, IKMT ka prishur edhe banesën e tretë në ditën e dytë të aksionit.

Ora 07:30
Aksioni i shembjes në Shkozë, policia dhe FNSH rrethojnë zonën (FOTO

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë rrethuar zonën ku IKMT ka vijuar aksioni për shembjen e banesave që preken nga projekti i Unazës së Re.