'Tenxhere për të zier pilaf' e ka cilësuar Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve ish- deputeti i PD, Oerd Bylykbashi.

Pas publikimit nga KQZ të shifrave të pjesmarrjes në votime, Bylykbashi ka komentuar faktin, që ditën e dielë KQZ deklaroi se në votime morën pjesë 772 mijë persona, e ndërsa sot ata deklaruan se gjithsej ishin 812  mijë votues.

"Dhe meqë në 2015 votuan 48 %, Rama dha urdhër që ‎ta çonin pjesmarrjen sa gjysma. Në mbremjen e 30 qershorit, edhe pse shifra e vetë KQZ-se tregonte 21 %, publikisht deklaruan 24 %, fiks sa gjysma e 2015. Por rama e kuptoi që po i derdhej uji i pilafit që vlonte dhe e uli pak zjarrin. Sot deklaruan 22 përqind, ama katër kuzhinierët me përparëse zhul në KQZ ia kanë shtuar plot 7 % volumin e këtyre zgjedhjeve që i bënë pilaf."- deklaroi ish-deputeti.

Në përfundim Bylykbashi thotë se rezultat i këtyre zgjedhjeve nuk ishte rezultati për partitë por pjesmarrja.

Postimi i plotë:

KQZ si tenxhere për të zier pilaf.

Doli KQZ dhe deklaroi ‎sot, me një tis funeber, se në votimet e Ramës paskan votuar 812 mijë votues. Të dielen në darkë deklaroi se kishin votuar 772 mijë votues. E kishte shtuar me vetëm 40 mijë zgjedhës.

Kjo shtesë më kujtoi gjyshen time kur isha fëmijë që preferonte orizin bullgar më shumë se atë të vendit sepse shtonte më shumë volum kur bëhej pilaf. Ja ku kanë perfunduar katër militantët ‎e PS ne KQZ, në kuzhinierë pilafi për drekën e vakisë së Ramës.

E mbajnë mbyllur KQZ-në dhe nuk japin asnjë shifër në kohë reale sic jepej dikur, qoftë edhe para dy vjetësh, kur rezultatet transmetoheshin të detajuara në kohë reale. Kësaj radhe sistemet elektronike të transmetimit dhe publikimit të të dhënave i kanë fikur ose nuk i kanë vënë fare në pune sepse transaprenca nxjerr në shesh ç'po gatuajnë. Me pak fjalë, i kane vënë kapak tenxheres me emër KQZ që të ziejë mirë pilafi.

Tashmë të gjithë e dinë që vetëm 15 % i shkuan në votimet farse dhe 85 % e shqiptarëve ia refuzuan 30 qershorin. Të gjithë i kanë parë qendrat e votimit ku nuk hynte këmbë njeriu për orë të tëra, por ndërkohë KQZ rriste shifrat e pjesmarrjes.

Dhe meqë në 2015 votuan 48 %, Rama dha urdhër që ‎ta çonin pjesmarrjen sa gjysma. Në mbremjen e 30 qershorit, edhe pse shifra e vetë KQZ-se tregonte 21 %, publikisht deklaruan 24 %, fiks sa gjysma e 2015. Por rama e kuptoi që po i derdhej uji i pilafit që vlonte dhe e uli pak zjarrin. Sot deklaruan 22 përqind, ama katër kuzhinierët me përparëse zhul në KQZ ia kanë shtuar plot 7 % volumin e këtyre zgjedhjeve që i bënë pilaf.

Rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk ishte rezultati për partitë por pjesmarrja. Rama këtë pjatë i ka porositur kuzhinës së KQZ. Nuk thonë kot: një rezultat i vonuar ‎është rezultat i gatuar.