Ministria e Brendshme dhe Kompania Shtetërore IdentiTek ShA e prodhimit të dokumenteve biometrike njoftojnë disa risi të rëndësishme, që sjellin përfitime për qytetarët, duke synuar modernizimin dhe përmirësimin e shërbimeve.
Kështu, qytetarët nuk do të kenë nevojë të harxhojnë kohë për të blerë kuponë në Postë për pasaportë, apo letërnjoftime elektronike. Të gjitha pagesat mund të kryhen online, duke e bërë procesin më të shpejtë dhe më të lehtë. Ky është një hap i rëndësishëm drejt ofrimit të shërbimeve më të avancuara dhe efikase për qytetarët, duke kursyer kohë e mund. Një tjetër risi, është se IdentiTek ofron mundësinë e prodhimit të ID kartave apo Letërnjoftimeve Elektronike në një kohë shumë më të shpejtë, përmes një pagese shtesë.
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha dhe Administratorja e IdentiTek, Freskida Halilaj panë nga afër procesin në një zyrë aplikimi.
Ervin Hoxha: Ministria e Brendshme dhe IdentiTek sot lancon dy procese shumë të rëndësishme, të cilët do t'i vijnë në ndihmë qytetarëve për lehtësimin e të gjitha procedurave përsa i përket aplikimit online për marrjen e një kuponi dhe vazhdimin e procedurave për prodhimin e kartave të identitetit (ID). Së pari, qytetarët shqiptarë do të kenë mundësi që nëpërmjet platformës në identiTek të aplikojnë për kuponin elektronik dhe më pas të vijojnë me prodhimin e kartave të identitetit. Së dyti, ky është një proces, që i cili vjen në ndihmë të gjithëve qytetarëve duke lehtësuar edhe një herë veprimet e tyre për marrjen e kartës. Sot, ne mund të prodhojmë kartat e Identitetit nëpërmjet një afati kohor nga një deri në tri ditë. Kjo do të bëjë edhe një herë shkurtimin maksimal të të gjitha afateve të pritjes për prodhimin e kartës së identitetit. Ne kemi edhe një element tjetër shumë të rëndësishëm, sa i përket rritjes së sigurisë së elementëve të pasaportës. Freskida, s i përkon ky certifikim në arenën ndërkombëtare të pasaportës tonë?
Freskida Halilaj: Z. Ministër, ne së fundmi jemi anëtarësuar në Drejtorinë e Çelësave Publik (DCP), në Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, kjo domethënë se pasaportat tona kanë një siguri më të lartë duke qenë se ne futemi në një rrjet ndërkombëtar e jemi vendi i 99-të, që jemi anëtarësuar nga 103 vende, pjesë e kësaj organizate. Pra, pasaporta jonë ka një siguri shumë të lartë duke luftuar në këtë mënyrë terrorizmin, por duke përmirësuar edhe imazhin e pasaportës sonë në arenën ndërkombëtare.
Ervin Hoxha: Pra kjo pasaportë do të jetë e vështirë për t'u falsifikuar. Ne kemi një standard të ri të sigurisë së pasaportës shqiptare, e cila do të jetë shumë afër me vendet e Bashkimit Europian.
Freskida Halilaj: Kjo është shumë e vërtetë, pasaportat tona aktualisht identifikohen në mënyrë automatike nëse janë origjinale ose jo, pra nëse janë gjeneruar nga IdentiTek, ose jo. Sot ne kemi lancuar kuponin elektronik, i cili e bën eksperiencën e qytetarit shumë më të thjeshtë duke qenë se aktualisht nuk do duhet më të paraqiten fizikisht pranë Postës apo përfaqësive diplomatike, por mund të drejtohen direkt tek faqja jonë e internetit dhe me dy-tri hapa shumë të thjeshtë, ata mund të pajisen me kuponin elektronik dhe më pas të procedojnë me aplikimin për dokumentet biometrike.
Ndryshimet u përgjigjen kërkesave të shumta nga qytetarë shqiptarë, që jetojnë e punojnë jashtë, e nuk kanë mundësi të presin dy javë për të rinovuar ID kartën.
Komente

