Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, mori pjesë në Bruksel në punimet e konferencës së nivelit të lartë të Global Alliance Agenda, ku u drejtuan me mesazh Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen si dhe Komisioneri për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner.
Koçiu bashkëkryesoi seksionin “Alternativat ndaj migracionit të paligjshëm, fokus tek rrugët e sigurta dhe ligjore dhe riintegrimi i qëndrueshëm”, së bashku me Zëvendëspresidenten e Komisionit Europian për Sovranitetin Teknologjik, Sigurinë dhe Demokracinë, Henna Virkkunen.
Në fjalën e saj, ministrja prezantoi përvojën e dyfishtë të Shqipërisë si vend me diasporë, por edhe si vend pritës për migrantë e qytetarë të huaj që jetojnë, punojnë apo studiojnë këtu. Ajo theksoi se ky realitet i jep Shqipërisë një perspektivë unike mbi politikat e migracionit, duke nënvizuar se mbi të gjitha “bashkëpunimi ndërkombëtar dhe dypalësh mbetet mjeti më i rëndësishëm për rezultate konkrete”.
Ministrja vuri në dukje bashkëpunimin e zgjeruar me FRONTEX, që sot shërben si një model funksional i menaxhimit të integruar të kufijve europianë. Ajo theksoi se falë bashkëpunimit operacional me Interpol, Europol dhe partnerët në rajon e BE, rastet e migracionit të parregullt në Shqipëri ranë ndjeshëm.
Duke sjellë shembuj konkretë, Koçiu përmendi Task-Forcën e përbashkët me Mbretërinë e Bashkuar, e cila uli ndjeshëm mbërritjet ilegale në Angli dhe rriti numrin e rikthimeve vullnetare, bashkëpunimin me Italinë për menaxhimin e flukseve migratore në Mesdhe, si dhe programet e punës me Gjermaninë, që krijojnë alternativa të sigurta dhe ligjore për lëvizjen e qytetarëve.
Në aspektin e brendshëm, ministrja e Punëve të Brendshme prezantoi reformën e vitit 2025 në ligjin “Për të huajt”, e cila harmonizon legjislacionin shqiptar me acquis të BE-së dhe Paktin e ri europian për Migracionin dhe Azilin, duke forcuar të drejtat e migrantëve, mekanizmat e integrimit dhe menaxhimin e migracionit të punës.
Koçiu theksoi se Shqipëria ka gati gjithashtu Planin Kombëtar të Kontigjencës për Flukset e Përziera 2026–2028 dhe po investon në fushata ndërgjegjësimi kundër migracionit të paligjshëm, si dhe në mbështetje konkrete për migrantët që kthehen dhe komunitetet vendase.
"Në të gjitha përpjekjet tona, kemi ndjekur një parim udhëheqës: krijimi i alternativave për migrimin e parregullt dhe mbështeja e atyre që kthehen. Qeveria ka vendosur stimuj fiskalë, subvencione dhe mundësi të tjera për emigrantët që kthehen, duke i ndihmuar ata të investojnë, të punojnë dhe të rindërtojnë jetën e tyre në vend. Në të njëjtën kohë, kemi nisur fushata ndërgjegjësimi kundër migracionit ilegal”, tha Koçiu.
“Ne po punojmë në dy fronte. Po modernizojmë kuadrin tonë, si për migruesit shqiptarë që kthehen, ashtu edhe për shtetasit e huaj që gjithnjë e më shumë zgjedhin Shqipërinë si vendin ku të jetojnë dhe të punojnë”, evidentoi ajo.
Duke përmbyllur sesionin, ministrja Koçiu ritheksoi se “koordinimi i plotë përgjatë gjithë zinxhirit të migracionit është mënyra e vetme për të goditur modelin kriminal të trafikimit të njerëzve”, ndërsa vlerësoi rolin thelbësor të Global Alliance, në forcimin e bashkëpunimit operativ ndërkombëtar.
Ajo shtoi se Shqipëria mbetet e angazhuar për të kontribuar aktivisht në Aleancë, duke u bazuar në parimin se lufta kundër kontrabandës duhet të shkojë paralelisht me respektimin e dinjitetit njerëzor dhe krijimin e rrugëve të sigurta, ligjore dhe të besueshme për migracion.
“Ne jemi gati të kthejmë fjalët në bashkëpunim operacional dhe bashkëpunimin në rezultate konkrete për qytetarët tanë, për migrantët dhe për sigurinë tonë të përbashkët”, përfundoi ministrja Koçiu.
Vendet pjesëmarrëse në fund të konferencës miratuan një deklaratë të përbashkët, për të shprehur angazhimin kundër migracionit të paligjshëm.
Komente






