Qytetarët e Vlorës do të mbajnë një tjetër protestë sot në orën 10:00 para Bashkisë teksa kanë hyrë në ditën e katërt që nuk furnizohen me ujë të pijshëm. Një defekt i shkaktuar në linjën kryesore të transmetimit ka ndërprerë furnizimin, duke krijuar situatë problematike.

Si zgjidhje alternative për banorët Ujësjellësi ka mundësuar furnizimin me autobote në disa lagje të qytetit, teksa disa qytetarë të tjerë kanë zgjedhur të blejnë ujë të ambalazhuar ose t'i drejtohen burimeve natyrore kryesisht në zonën e “Ujit të Ftohtë”.

Një ditë më parë në shenjë proteste dhjetëra qytetarë të Vlorës të drejtuar nga anëtarë të FRPD u futën me forcë brenda teatrit ‘Petro Marku’, duke ndërprerë mbrëmjen gala të bashkisë me rastin e festave të fundvitit. U desh ndërhyrja e policisë për t’i larguar nga salla. Protestuesit gjithashtu tentuan të bllokojnë qarkullimin e automjeteve në bulevardin kryesor të qytetit

Ujësjellësi i Vlorës vijon punën për riparimin e defektit duke salduar tubacionin, por presioni i lartë i ujit në linjën që furnizon qytetin ka shkaktuar sërish çarje duke e bërë të pamundur rikthimin e furnizimit normal me ujë.

lajm ne perditesim...