Vijon të shfaqet problematike situata me zjarret në disa zona të Shqipërisë.
Prej ditës së djeshme në Delvinë, pranë lagjes Llak, vijojnë flakët në zona pyjore dhe me shkurre. Ndërhyrja e forcave zjarrfikëse mbetet e vështirë , por mësohet se kanë mbërritur edhe dy zjarrfikëse të Gjirokastrës dhe po punohet për të vendosur në kontrolll situatën. Vatra e zjarrit është 700 metra larg banesave.
Ndërkohë, edhe në fshatin Lapulec të Mallakastrës ditën e sotme ka rënë një zjarr ku janë përfshirë në flakë, ullishte dhe shkurre. Vatra e zjarrit ndodhet pranë një fabrike vaji, ndërkohë që në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca zjarrfikëse nga Ballshi e Patosi.
Një zjarr i fuqishëm përfshiu edhe një masiv pyjor në malin e Pashtrikut në bashkinë e Hasit. Vatra e zjarrit u shfaq rreth mesditës në vendin e quajtur Çezma e Gorozhupit, në kufirin shtetëror Shqipëri -Kosovë. Nxitur nga temperaturat e larta, thatësira por edhe një erë e lehtë në këtë rajon, zjarri përfshiu rreth 5 hektarë pyje përballë pikës së kalimit kufitar në Morinë. Paraprakisht rrezikohen dy pika te transmetuesve televiziv dhe telefonisë së lëvizshme ndërsa shtëpitë e fshatrave Pogaj e Gorozhup janë rreth 2 km nga vatra e zjarrit. Drejt kësaj vatre zjarri janë nisur shërbimet pyjore dhe te zjarrfikësve nga Hasi por për shkak të terrenit të vështirë mjetet nuk mund të futen në zonë.