E di, fort mirë po e di, çka është biseduar në takimin e baroneshës Ashton me dy kanakarët, biomin Daçi – Taçi në Bruksel, thotë Vikiliksi, një mik yni me nofkën të cilën ka kohë që ia kemi bërë për hair, pasi vërtet është nga ata që di çka s’di. Në të vërtetë, i di të gjitha. Si CIA.

Ju tregoj unë, thotë ai, si me të qeshur, tek nis të rrufit kafenë dhe fillon së rrëfyeri besnikërisht, deri në detaje dialogun si të kishte qëlluar jo aty pas dere por mu në sallën ku u mbajt takimi në atë ndërtesën e Shërbimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) në Bruksel.

Në sallën e madhe ku tashmë me padurim prisnin baronesha Catherine Ashton e i ngarkuari për Ballkanin Fernando Gentilini, hyn Daçiqi me delegacionin e vet. Pas mirëseardhjes dhe atyre puthjeve mbase për kurtuazi, pa u rehatuar mirë në fotele qet mbi tavolinë një dosje goxha të trashë dhe hyn drejt e në temë.

Daçiq: Punët po shkojnë mirë. Zgjedhjet në Kosovë i kryem. Vullneti dhe gatishmëria jonë nuk ka munguar dhe nuk mund të na fajësoni më për obstruksione. Edhe ju, mikesha ime Ashton, besoj se në raportin që do të paraqisni më 17 dhjetor, në mbledhjen Këshillit Ministror të vendeve të BE-së, nuk do të anashkaloni përparimet e Serbisë demokratike e cila tashmë meriton t’i hapet rruga për në BE.

Ashton: Pa dyshim. Por janë do obligime që i keni marrë dhe disa çështje që tashmë është koha t’u sqarohen serbëve atje poshtë, në Kosovë....

Daçiq: E di, e di, por kemi probleme të mëdha atje. As neve nuk po na dëgjojnë më. Është punë gati e pamundur që ata ta pranojnë shtetin e shqiptarëve në tokën tonë të shenjtë, në djepin e Serbisë e serbizmit.

Unë kam sjellë një plan, një propozim timin të kamotshëm për zgjidhjen definitive të problemit të Kosovës dhe problemit shqiptaro –serb, dy popujve që më në fund do të jetojnë në fqinjësi, thotë ai dhe hap dosjen e trashë me shenjën SANU në kopertinë.

Ashton: Ç’është kjo, tash?

Daçiq: Është çelësi i zgjidhjes për paqe në rajon. Projekti madhor i akademikëve serbë me elaborime speciale për zgjidhjen e problemit. Sidomos tash pas zgjedhjeve të mbajtura dhe Bashkësisë së Komunave Serbe që do të formohet si entitet i veçantë.

Ashton: (E shikon, shfleton disa faqe dhe pasi ia hedh një sy edhe Gentilini, i kthehet Daçiqit) Ndoshta nuk është koha tash të hapet kjo, por nuk po më duket keq. Madje duket në rregull, në pajtim me parimin universal për të drejtën në vetëvendosje.

Daçiq: Vërtet?!

Ashton: E vlen të shqyrtohet, duket i pranueshëm.

Daçiq: Shkëlqyeshëm. Falemnderit për mirëkuptim. Se moti e kam menduar këtë, madje kam folur edhe publikisht duke u propozuar shqiptarëve ndarjen si zgjidhje më e mirë, por të gjithë ishin kundër, se gjoja ndarja është e pamundshme. Do të thotë, po pajtoheni?!

Ashton: Parimisht po, pse të mos shqyrtohet.

Daçiq: Mirë, ju e kuptoni, por shqiptarët nuk do ta pranojnë. A keni dëgjuar sot kur miku ynë Thaçi sapo ishte nisur për Bruksel, në Prishtinë ai Jakupi i rebeluar ka mbledhur Kuvendin e Kosovës dhe të gjithë me radhë i kanë rënë në qafë mikut tonë. Me akuza të rënda, duke e krahasuar edhe me atë mikun tonë të moçëm, të Toptanëve.

Ashton: S’ka problem, shqiptarët i rrapllojnë këmbët, shkumojnë nga pak, krekosen, por bien përtokë. Fjalët i kanë të mëdha por punët të vogla. Mos ki dert, ata i bindin amerikanët. Qe po e thërras menjëherë ambasadoren amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, dhe po i tregoj.

Daçiq, i befasuar më atë që po sheh, fërkon duart.

Ashton: Alo, zonja Jacobson, kam një lajm interesant për ju. Kryeministri i Serbisë ma ka paraqitur sot planin e elaboruar për ndarjen e Kosovës. Unë e pashë. Edhe pse ndoshta nuk është koha e duhur. Si propozim nuk duket i keq. Ne na duket i pranueshëm, por mbetet që ju tani ta shihni dhe t’i bindni shqiptarët.

Jacobson. Nëse ju si BE e pranoni, ne s’kemi pse të jemi kundër. Më në fund më shumë është çështje evropiane. Sa i përket kësaj, nuk ka problem. Shqiptarët do të pajtohen përndryshe do ta humbin përkrahjen e SHBA-ve, thotë Vikiliksi, shoku ynë, duke përshkruar Daçiqin e ngazëllyer nga kjo mrekulli që po ndodhte por e ndërpret Qaza, shoku ynë i tavolinës që gjithashtu merr vesh shumë në konspiracione të kësaj natyre.

E di, e di, e kam dëgjuar këtë. Ti përralla po na shet, a ?, ndërhyn Qaza dhe e vazhdon vetë rrëfimin e Vikiliksit të famshëm.
Pasi Daçiqi ishte falënderuar përulësisht pas fjalëve të ambasadores së SHBA-së kishte bërë turr kah dera për të dhënë lajmin dhe për t’i plasur të gjithë ata që prisnin jashtë e që thoshin se ndarja e Kosovës është e pamundshme, por ishte ndalur pas një thirrjeje nga receptori.

Prit pak, kam edhe diçka për të thënë, ishin fjalët e ambasadores që Daçiqit ia ndaluan hapin.

Urdhëroni zonja ambasadore, - kishte thënë Daçiq.

Buzëqeshni pak. Kjo ishte kamera e fshehtë!!!, thuhet të jetë dëgjuar si në kor zëri i përbashkët i Jacobsonit, Ashtonit e Gentilinit.

Marrë nga "Zëri"