Në një kohë që numri i viktimave në plazhet shqiptare ka prekur shifra alarmante, siguria vijon të jetë inekzistente.

Pas denoncimit të disa ditëve me radhë që Report Tv i bëri kësaj problematike, nisën edhe disa reagime për marrjen e masave, por sërisht ato ishin sporadike dhe të papërfillshme përball kësaj emergjence.

Por më ironike është fakti se prej disa ditësh nga ana e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Turizmit, ka nisur një fushatë këshillimi dhe trajnimi të pushuesve si të japin ndihmën e parë.

Ndalesa e radhës e këtij projekti ishte në plazhin e Sarandës, në po të njëjtën ditë kur disa metra më larg një turist polak nuk u arrit të shpëtoj edhe për marrjen me vonesë të ndihmës së parë.

Trajnimi i pushuesve është gjithsesi një iniciativë e mirë për ndihmën e parë, por kurrësei ajo s’mund të jetë baza për ti paraprirë ngjarjeve të rënda që kanë shoqëruar këtë sezon turistik në Shqipëri.

Kreu i agjencisë kombëtare të turizmit Ardit Çollaku, u shpreh për mediat se sensibilizimi do të vijojnë në plazhe të ndryshme duke shpërndare për pushuesit 10 rregullat e Arta mbi sigurinë.

“Është një tabelë që bashkia e Sarandës e ka të publikuar në plazhin përkatës, por edhe subjektet private duhet ta kenë e ta vendosin për pushuesit”,  tha Çollaku.

E për t’i konkretizuar, roja bregdetare Ndriçim Rako ndau me të pranishmit eksperiencën e tij.

“Është një rast për tu përgëzuar që jo vetëm ne si roje bregdetare por të gjithë  të marrim vesh diçka sadopak”, tha Rako.

Përpos këtyre projekteve sensibilizuese, alarmant është fakti që sërish në shumicën e plazheve shqiptare vijon siguria të jetë zero, dhe më shqetësues është fakti që si autoritetet lokale ashtu edhe ato qendrore nuk kanë reaguar edhe pse numri i viktimave vijon të jetë në rritje.

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com