Në gjithë vendin “gëlojnë” ndërtimet pa leje. Natyrisht, shumë prej tyre janë bërë pa lejen e gjeologut. Çfarë mund të na thoni përsa i përket zbatimit të kësaj procedure në ndërtimet e kryera këto vitet e fundit?
Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, me ligj, funksionon si këshilltar tekniko-shkencor i shtetit në fushën e gjeoshkencave dhe është detyrë e këtij Shërbimi dhe e strukturave që merren me planifikimin e administrimin e territorit që, para se të merren vendime për ndërtime të çdo lloji në një territor të caktuar, të jetë kryer më parë studimi gjeologo-inxhenierik.
Në vitet e tranzicionit janë krijuar probleme madhore, që shtetit shqiptar i duhet kohë, personel dhe mjete të shumta financiare për t’i normalizuar.
Në vendin tonë kanë lulëzuar ndërtimet informale në zona urbane e rurale, në toka bujqësore, në bregdet, në afërsi të lumenjeve, por edhe në shtratin e tyre, në zona të rrëshqitshme, në formacione të paqëndrueshme, të gjitha këto pa studime gjeologjike dhe urbanistike të mirëfillta. Qeveria e re është angazhuar dhe po punon me ritmin e duhur për normalizimin e kësaj situate dhe legalizimin e këtyre ndërtimeve. Të gjitha ndërtimet informale të kryera në Shqiperi pas vitit 1990 në përgjithësi janë pa studime gjeologo-inxhinjerike ose me studime të cunguara, ndërtuar në zona jo të përshtatshme nga ana gjeologjike. Dëshmi e këtij fakti është dëmtimi shumë i madh që ka ndodhur e po ndodh në ndërtesa, lagje, fshatra e zona të tëra në gjithë territorin e vendit.
A nevojitet një rifreskim i legjislacionit në këtë fushë?
Problemi i Shqipërisë nuk është aq shumë tek mungesa e ligjeve dhe tek ndryshimi e përshtatja e tyre me legjislacionin europian, por tek zbatimi i ligjit dhe krijimi i standardeve të detyrueshme për të gjithë. Në këtë fushë, imediate është puna në fushën e planifikimit dhe administrimit të territorit në Republikën e Shqipërisë. Me detyrë direkte të ministrit të Energjisë e Industrisë Damian Gjiknuri, ne kemi dorëzuar pranë kësaj Ministrie në fundin e muajit shkurt, disa projektligje si, projektligjin e ri për Shërbimin Gjeologjik Shqiptar, ndryshime për ligjin e integruar të burimeve ujore, ndryshime për ligjin minerar dhe atë të hidrokarbureve. Në të njëjtën kohë ne jemi pjesë përbërëse e grupit të punës që po punon për plotësime e ndryshime ose hartimin e një ligji të ri për Planifikimin e Teritorrit.
Shqipëria është e pasur me burime hidrike. Cilat janë sfidat dhe problematikat që lidhen me to?
Është një fat i madh që vendi ynë hyn ndër vendet me burime të shumta ujore, qofshin ato sipërfaqësore, apo nëntokësore. Kjo është një pasuri e madhe që na ka dhënë Zoti, por është detyra jonë t’i menaxhojmë e t’i administrojmë me standarte rigorozisht të përcaktuara europiane, për t’i vënë në shërbim të njerëzve. Shërbimi Gjeologjik Shqiptar ka detyrimet e veta ligjore në këtë drejtim. Ky Shërbim është e vetmja strukturë në vend që kryen studime, projektime dhe oponenca për sektorin publik dhe privat për ujërat nëntokësore në gjithë territorin e vendit. Monitoron basenet e ndryshme të ujërave nëntokësore në drejtim të gjendjes së rezervave ujore, vetive fizike dhe kimike, kushtet e ndodhjes së tyre, perspektivën e furnizimit me ujë për nevoja të ndryshme të vendit nga këto basene, si edhe të rreziqeve që ato kanë, si nga kushtet natyrore, dinamika e veprimit të detit me tokën dhe nga veprimtaria njerëzore, e cila këto vitet e tranzicionit është në vendin e parë përsa i përket rrezikimit të tyre nga ndotja dhe shfrytëzimi në kundërshtim me kriteret teknike të përcaktuara.
Ne kryejmë studime e monitorime edhe për burimet ujore sipërfaqësore të lumejve e liqeneve në aspekte hidrogjeologjike, për natyrën e formimit të tyre, sasinë dhe vetitë e tyre fizike dhe kimike në periudha të ndryshme të vitit, duke bashkëpunuar edhe me strukturat e tjera të vendit në nivel qëndror e lokal.
Perveç ndotjeve të tejskajshme të lumenjve, liqeneve dhe të bregdetit të vendit tonë, një nga sfidat e tjera kryesore ku po ndeshemi është ndërtimi i objekteve të ndryshme brenda zonës së mbrojtur të baseneve të ujrave nëntokësore dhe kryerja e shpimeve të ndryshme për ujë në to në mënyrë amatoreske, që dëmton së tepërmi sasinë dhe cilësinë e ujit. Problemet më madhore të kësaj natyre janë në basenin e ujërave nëntokësore të rajonit të Tiranës, por jo më pak probleme ka në Lezhë, Fushë Kuqe, Durrës etj. Për mënjanimin e këtyre pasojave mjaft të dëmshme për të tashmen dhe në perspektivë, për administrimin e këtyre pasurive natyrore, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar çdo vit harton raporte përkatëse të monitorimit dhe një kopje përmbledhëse të tyre e dorëzon në organet qëndrore përkatëse.
Pasuritë minerare të vendit dhe nafta, cilat janë problematikat dhe sfidat?
Shqipëria është një vend me pasuri të ndryshme minerare, të mineraleve xeherore metalore, jometalore, të materialeve të ndërtimit, të naftës dhe të gazit. Në mbi 90 vjet të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, nëntoka dhe mbitoka e këtij vendi është studjuar në mënyrë sistematike dhe intensive, sidomos mbas viteve 50-të të shekullit të kaluar e në vazhdim, nga gjeologë të huaj e shqiptarë, si edhe nga specialistë të tjerë të fushave të gjeoshkencave. Në Shqipëri kanë ekzistuar institute shumë të specializuara dhe prestigjioze që merreshin me studime, projektime, shfrytëzimin dhe përpunimin e këtyre gjeoresurseve, si psh Instituti i Kërkimeve e Projektimeve Gjeologjike në Tiranë, Institututi i Studimeve e Projektimeve të Teknologjisë Minerare në Tiranë, Instituti i Kerkimeve e Projektimeve për Naftë e Gaz në Fier, etj.
Këto institucione shkencore ishin të kompletuara me personel shkencor të kualifikuar brenda e jashtë vendit (kryesisht në Perëndim), me një bazë laboratorike të kompletuar të kohës, të cilët kryeninin studime dhe jepnin rekomandime për kërkimin, shfrytëzimin e përpunimin e këtyre pasurive, duke u ballafaquar me përvojën europiane e më gjerë. Reforma në shkencë, e ndërmarrë në vitin 2007, që filloi të implementohet në vitin 2008, i mbylli në mënyrë arbitrare këto institute të mirëfillta shkencore, duke krijuar kështu disa institucione të tjera, që koha vërtetoi se nuk dhanë asnjë impakt pozitiv. Sot ndeshen probleme të mëdha të shfrytëzimit të të gjitha gjeoresurseve të vendit, si të mineraleve tradicionale të kromit, bakrit, hekur-nikelit, serës e qymyreve etj, e në veçanti të naftës dhe gazit. Nuk ka bilance të sakta të rezervave të shfrytëzuara, sepse shfrytëzimi i tyre, në një farë mase, është lënë jashtë kontrollit teknik në mënyrë periodike, për të bërë bilance të sakta të rezervave të llogaritura, rezervave të shfrytëzuara dhe atyre të mbetura. Të ardhurat që merr shteti nga këto pasuri, nga viti 2005 e deri më sot janë tepër minimale, në një kohë që çmimi i tyre në bursën ndërkombëtare është rritur ndjeshëm.
Shqipëria ka rreth 400 km bregdet. Çfarë mund të na thoni për gjeologjinë detare?
Shkenca e Gjeologjisë ka avancuar shumë, sidomos nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar e në vazhdim, në studimin e fenomeneve gjeologjike, jo vetëm në tokë, por edhe nën ujë, në dete dhe oqeane. Vendet e zhvilluara të botës prej kohësh kryejnë studime në fundin e deteve e oqeaneve, jo vetëm në aspektin thjesht gjeologjik, por edhe për kërkimin e naftës dhe gazit etj, në dete dhe oqeane. Studime të tilla në det për naftë dhe gaz janë kryer edhe në pjesën detare që i përket shtetit tone, si në detin Adriatik, edhe në detin Jon nga kompani të huaja, ku ka premisa dhe interesa për t’i thelluar këto studime në të ardhmen për interesat ekonomike të vendit tonë.
Ne, si Shërbim Gjeologjik, për vetë mundësitë teknike, teknologjike dhe profesionale që kemi, vitet e fundit jemi marrë vetëm me studime të karakterit bregdetar, që kanë të bëjnë më tepër me dinamikën e marrëdhënieve bregdet-tokë. Duke qenë se Shërbimi Gjeologjik i vendit tonë, që nga viti 2007, është pjesë përbërëse e Shërbimit Gjeologjik Europian (EGS) me të drejta të plota, bazuar nga detyrat që rrjedhin nga ky anëtarësim, ai ka detyrimin që, në strukturën e tij organizative, funksionale, të ketë njësinë e tij që të merret me studimet detare. Për këtë qëllim, ne kemi bërë rregullimet e duhura në projektligjin e ri të Shërbimit Gjeologjik dhe i kemi propozuar qeverisë strukturën e re të këtij Shërbimi, ku përfshihet Gjeologjia Detare me dy sektorët përkatës, të Dinamikës së Detit me Tokën dhe të Shelfit Kontinental që do të miratohet së shpejti. Ky është hap i pare, që ne ndërmarrim për Gjeologjinë Detare e që do të pasohet hap pas hapi me studime e fuqizimin e këtij sektori me specialistët dhe paisjet teknologjike përkatëse.
Toka është një pasuri shumë e vlerësuar në shkallë botërore. Mund të flisni pak për çështjet e kësaj fushe në kuadër të gjeologjisë?
Ky është një problem që, më së shumti, është objekt studimi dhe kultivimi i specialistëve të bujqësisë. Por përfshihet edhe në kuadër të gjeologjisë. Një nga pasuritë me të mëdha dhe jetike të këtij vendi siç është toka bujqësore, këto vite të tranzicionit është dëmtuar dhe shpërdoruar në mënyrën më barbare. Në këtë mënyrë, janë prishur të gjitha strukturat e tokave bujqësore, janë bërë ndërtime të panumërta dhe, në mënyrë kaotike në të, është shkatërruar sistemi vaditës, bonifikues dhe kullues, janë hedhur në të mbetje të ndryshme urbane, ka patur përmbytje periodike të tokave bujqësore nga mosfunksionimi i sistemeve të kullimit e të hidrovoreve, ka një erozion te madh në tokat e pjerrëta, kodrinore dhe malore. Në ligjin aktual, por edhe në projektligjin e ri të propozuar të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, studimet pedologjike janë një ndër objektet e punës të këtij Shërbimi, duke e trajtuar problemin në aspektin gjeologjik, si kushtet e formimit të tokës bujqësore, ndërtimi mikrolitologjik i saj, përbërja kimike, vetitë fizike dhe marrëdhëniet me bazamentin rrënjësor, ku është vendosur toka bujqësore, erozioni etj.
Gjeologjia si treg punësimi në Shqipëri: Cilat janë perspektivat pêr studentët, që specializohen në gjeologji dhe nënfushat e saj?
Shërbimi Gjeologjik Shqiptar jep kontribut në punësim direkt dhe indirekt, si të specialistëve të profileve të ndryshme që punësohen në këtë sektor, ashtu edhe të atyre që punësohen në aktivitetin e kërkim-zbulimit të mineraleve dhe hidrokarbureve nga operatorët vendas e të huaj. Në këtë mënyrë është edhe mundësia e punësimit të studentëve që mbarojnë studimet në fushën e gjeoshkencave, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Përgatitja e specialistëve të këtyre fushave në universitetet tona ka ndikim në zhvillimin e këtij sektori, por imediate është përgatitja e specialistëve të profesioneve të ngushta si mineralog, petrograf, petrolog, gjeokimist, paleontolog (mikro dhe makro) etj, për të cilën kërkohet bashkërendim i punës me Universitetin Politeknik të Tiranës dhe Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave. Për këtë qëllim, në bashkëpunim me Rektoratin e Fakultetin, kemi hartuar një memorandum bashkëpunimi, për të cilin jemi duke punuar bashkarisht, me mbështetjen e plotë të Rektorit, Akademikut Jorgaq Kaçani dhe Dekanit, Prof. Dr.Përparim Hoxha, për ta miratuar së shpejti dhe për t’i hapur rrugë zgjidhjes së këtyre problemeve.
Shkrimi u publikua sot (2.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)