Letonia, që drejton Bashkimin Evropian deri më 30 qershor, është treguar e habitur përballë kritikave të kryeministrit grek, Aleksis Cipras ndaj sanksioneve evropiane kundër Rusisë.
Në vizitë në Moskë, Aleksis Cipras përsëriti një ditë më parë, përkrah presidentit rus, Vladimir Putin, refuzimin e tij për politikën e sanksioneve vendosur nga 28 vendet evropiane kundër Moskës pas aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë duke kërkuar braktisjen e rrethit vicioz të sanksioneve, që nuk kontribuojnë në mbrojtjen e të drejtës ndërkombëtare.
"Gjatë një takimi në muajin mars, kryeministri grek kishte pranuar qëndrimin e përbashkët të BE-së përsa i përket sanksioneve", theksoi për shtypin kryeministrja letoneze, Laimdota Straujuma, vendi i të cilës ka presidencën e radhës të Bashkimit Evropian.
"Është diçka e papritur për mua, ajo që ka thënë në Moskë kryeministri grek", shtoi ajo në përfundim të një takimi në Vilnius me homologët lituanez dhe estonez.
Këto tre vende balltike, ish-republika sovjetike, mbështesin një linjë të ashpër ndaj Rusisë.
Sipas kryeministrit lituanez, Algirdas Butkevicius, objektivi i vizitës së Ciprasit në Moskë ishte krejtësisht i pakuptueshëm dhe shqetësues për shumë vende anëtare të BE-së.
Aleksis Cipras është kritikuar nga diplomatët evropianë për qëndrimin mbështetës ndaj Moskës, ndërkohë që qeveria e majtë radikale është në negociata me kreditorët BE dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar./atsh/