Të paktën 19 persona kanë humbur jetën pasi një vinç ndërtimi ra mbi një tren në lëvizje në verilindje të Tajlandës.

Ndërkohë 80 persona të tjerë janë plagosur pasi vinçi goditi një nga vagonët, duke bërë që treni të dilte nga shinat dhe të merrte flakë, tha policia për agjencinë e lajmeve Reuters.

Ministri i Transportit Piphat Ratchakitprakan tha se në tren ndodheshin 195 persona dhe se ai po udhëtonte për në provincën Ubon Ratchathani.

Ai tha se ka urdhëruar një hetim për aksidentin, ndërsa përpjekjet e shpëtimit janë duke vazhduar.

Vinçi po përdorej në punimet në një projekt hekurudhor me shpejtësi të lartë në distriktin Sikhio të provincës Nakhon Ratchasima, rreth 143 milje në verilindje të Bangkokut.