DUBAI - Në Dubai u dhanë çmimet e "Globe Soccer" për futbollistët më të mirë të vitit dhe jo vetëm.
Fituesi i madh u shpall Vinicius Junior i Real Madrid, me sulmuesin brazilian që pas trofeut të FIFA merr një tjetër çmim si lojtari më i mirë i vitit. Edhe pse Topin e Artë e fitoi Rodri i Man. Cityt, këtë herë Vini Jr. i kaloi të gjithë.
Çmimi për talentin e vitit shkoi për yllin e Barcelonës, Lamine Yamal. Real Madrid u zgjodh klubi më i mirë i vitit, ndërsa Carlo Ancelotti mori vlerësimin si trajneri më i mirë. Florentino Perez mori çmimin si presidenti i vitit. Bellingham i Real Madrid u zgjodh mesfushori më i mirë duke bërë që "Galaktikët" të dominojnë këtë event.
Cristiano Ronaldo, pjesë e Al Nassr në Arabinë Saudite, u vlerësua me çmimin si lojtari më i mirë në Lindjen e Mesme.
Me çmimin e karrierës u vlerësuan edhe disa legjenda të futbollit botëror si Del Piero, Rio Ferdinand apo braziliani Neymar.
Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:08
Cristiano Ronaldo: Vinicius meritonte 'Topin e Artë'
Në ceremoninë e çmimeve "Globe Soccer" të zhvilluar në Dubai, Vinicius Jr i Real Madrid u shpall lojtari më i mirë i vitit 2024. Në këtë turne u vlerësua edhe Cristiano Ronaldo si lojtari më i mirë në Lindjen e Mesme.
Pas çmimit portugezi "ndezi sërish xixa" dhe tha se "Topin e Artë" më shumë e meritonte Vinicius, ndërsa trofeu shkoi për Rodrin e Man. City dhe u bojkotua nga Real Madrid.
“Topin e Artë e meritonte Vinicius, nuk ishte një vendim i drejtë për mendimin tim. Edhe Rodri e meritonte, por mendoj se këtë vit e meritonte Vinicius për golin në finalen e Ligës së Kampionëve. Kjo është arsyeja pse më pëlqen 'Globe Soccer Awards', prezanton çmimet në mënyrën më të ekuilibruar të mundshme”, tha Ronaldo.