Violinisti Florian Vlashi, kthimi i
dytë i Jan Kukuzelit në Durrës

Violinisti Florian Vlashi, kthimi i<br />dytë i Jan Kukuzelit në Durrës
TIRANE- Violinisti Florian Vlashi dhe miqtë e tij instrumentistë, që punojnë brenda dhe jashtë vendit pas disa ditësh do të rikthejnë në Durrës … Jan Kukuzelin. Tingujt mesjetarë, kënduar nga koristët prishtinas të Korit të Filarmonisë së Kosovës si dhe variacionet e gjashtë kompozitorëve të rinj, bashkëqytetarë nga Durrësit të Kukuzelit, janë vetëm dy nga surprizat e këtij edicioni të Bienales së vetme muzikore në Shqipëri.
Festivali “Netët e muzikës klasike” në Durrës ka mbërritur në edicionin e 6-të të tij, çka përkon edhe me 10-vjetorin e krijimit. 

Në fakt, nuk është hera e parë që Jan Kukuzeli “rikthehet” në kodrat e Durrësit, atje ku thuhet se shkruante në pentagramin e tij disa shekuj më parë. Në vitin 1989 Florian Vlashi, atëhere mësues i ri i violinës në shkollën e mesme artistike “Mujo Ulqinaku”, do të interpretonte për herë të parë në mjediset e Torës veneciane disa nga partiturat e Jan Kukuzelit, me një ansambël entuziast të krijuar prej tij dhe nxënësve e bashkëmësuesve të shkollës. Tre vjet më vonë shkolla e mesme merr emrin me të cilin Florian Vlashi kishte pagëzuar Ansamblin e tij të parë. Por vetë ai nuk ishte më në Durrës. Pas koncerteve të fundit që “Jan Kukuzeli” i tij jep në Italinë jugore Vlashi vendoset përfundimisht në Korunja (Spanjë), ku vazhdon jetën aktive atistike.

Florian Vlashi në vitin 1989 me ansamblin
(Foto: Florian Vlashi në vitin 1989 me ansamblin "Jan Kukuzeli", Torra Veneciane Durrës)

I kthyer pak ditë më parë nga Spanja dhe në valën e përgatitjeve për edicionin jubilar të Festivalit 10-vjeçar Florian Vlashi, tregon në këtë intervistë “aventurën” e tij artistike dhe disa nga të fshehtat që do të zbulohen ditë pas dite nga 1-7 gusht të këtij viti në disa prej mjediseve më tërheqëse të Durrësit, çka bashkon përsëri Kukuzelin dhe interpretin e tij besnik.
 
-Edicioni jubilar i këtij viti ka marrë emrin “Durrës: 700 vjet muzikë, nga Kukuzeli në ditët tona”. Është një lloj rikthimi në traditën e hershme muzikore shqiptare?
-Është jo vetëm rikthim, por edhe një kërkim i lidhjeve ndërmjet muzikës së vjetër dhe asaj të re në një hark kohor prej rreth 700 vitesh. Jo të gjithë mund të thonë të njejtën gjë. Ketu në Durrës muzika nuk filloi para 20, apo 50 vjetësh, por shekuj më parë. Ky nivel që ka sot Durrësi në muzikë, nuk është një rrufe në qiell të pastër, por është pasojë e një lidhje të dukshme dhe të padukshme me traditën e hershme. {do gjë le gjurmë në kodin tonë gjenetik. Nuk di ta spjegoj se si, por, kur prof. Përparim Kabo m’u drejtua para dy vjetësh me një mesazh me fjalët “o gjak muzike prej Jan Kukuzelit”, më bëri të ndjej diçka që kurrë nuk e kisha provuar. Kjo fjali është origjina e këtij edicioni.
 
-Jan Kukuzeli dhe Florian Vlashi janë një binom i njohur për dëgjuesit, gati një çerek shekulli më parë. Ansambli “Jan Kukuzeli”, që ju ideuat dhe drejtuat, në vitin 1992 u bë shkak për ti dhënë emrin shkollës së mesme artistike të Durrësit. A mund të na tregoni shkurt, çfarë ju drejtoi te ky emër pak i njohur si muzikant shqiptar?
-Ishte studiuesi dhe muzikologu ynë i madh, Ramadan Sokoli, që më drejtoi për herë të parë në muzikën e Jan Kukuzelit. Vendos ata cuaja në publik i shtyrë nga magjia që ka zbulimi i artit të vjetër. Por edhe nga inati që të vetmet inçizime të muzikës së tij ishin nga koret bullgare, ndërsa te ne muzika kishtare ishte zhdukur prej kohësh nga diktatura. E kam si tani në vesh kur e luajtëm për herë të parë te Torra Veneciane e Durrësit në vitin 1989. Ishte një tingull i padëgjuar më parë. Ishte një zë, që vinte nga një tjetër botë, si mesazh për tu dëshifruar.
 
-Largimi juaj drejt Spanjës ka një stacion tranziti disaditor në Italinë jugore. Ishte viti 1992 dhe ju po drejtonit për herë të fundit ansamblin “Jan Kukuzeli”, në një koncert premierë për një publik të huaj. Si ndjehet një artist, kur lë pas një realizim të vetvetes për tu nisur drejt së panjohurës?
 -Ndarja me Grupin në stacionin e Brindizit (Itali) ishte shumë i rëndë për të gjithë. U ndërpre një ëndërr në mes. Kur treni u nis drejt veriut kam qarë si fëmijë. Që atehëre, stacionet e trenit më krijojnë një melankoli të turbullt, që ka të bëjë me ndarjet…
Tani pas 21 vjetësh, duke u rikthyer te ai momento në Stacionin hekurudhor të Brindizit, mendoj se në atë kohë, nuk ishte aventurë të ikje; ishte aventurë të rrije.
 
-Shumë shpejt, edhe në Galici ju provuat se nuk ishit shkëputur asnjëherë nga vendlindja. Kosova apo kolegët kompozitorë shqiptarë u bënë urat e reja të lidhjes me jetën artistike shqiptare. Sa e vështirë ka qenë kjo?
-Nuk ka qenë shumë e vështirë. Përkundrazi! Koleksioni i pikturës shqiptare, kompozitorët shqiptarë që luaj, kolegët e mij të shkollës, që i ftoj herë pas here për të bërë muzikë bashkë, ma kanë bërë më të lehtë ndarjen dhe më të shkurtër distancën. Por kryesorja është, se të gjitha këto së bashku, si dikur, edhe tani, kanë formuar personin që unë jam sot.
 
-Edicioni i 6-të i Benales që do të organizohet nga 1-7 gusht të këtij viti ka disa të reja. Cilat janë ato (shkurtimisht)?
-Unë do të rendis: shtrirja kohore e muzikës në shekuj; prezantimi në Shqipëri I Antifonarittë durrsakut Gjergj Danush Lapacaj (1562); koncertet e Vivaldit, nxjerrë nga dorëshkrimet që kishte ruajtur familja Durazzo, që nga shek. I 18-të. (Këto koncerte janë interpretuar për herë të parë në publik në …vitin 1993).
Le të kthehemi te Bienalja: Do të jetë mjaft simbolik interpretimi I gjashtë variacioneve të kompozitorëve durrsakë mbi një korale të Jan Kukuzelit; koncerti ndërdisiplinor “Matematika dhe muzika”, I cili ka patur mjaft sukses në Spanjë dhe që jam I sigurtë se do të jetë një befasi e bukur.
 
-Emri Lapacaj ndjell të njejtën ndjesi te publiku me atë që ngjallte Kukuzeli për publikun shqiptar. Kemi të bëjmë me prezantimin e një personazhi pak të njohur të traditës muzikore?
 -Për mua, prezantimi i Antifonarit të Lapacaj në Shqipëri nga muzikologu shumë i njohur Italian Domenico Morgante është një ngjarje tejet e rëndësishme për kulturën shqiptare. Mos harroni se Antifonari është kompozuar në vitin 1532, pra 23 vjet para se të shkruhej Meshari i Gjon Buzukut. Veç kësaj, ta dëgjosh të kënduar nga “Kori Kamertal i Filarmonisë së Kosovës” në galeritë e Amfiteatrit të Durrësit, mendoj se do të jetë nëj moment unik që nuk duhet humbur.
 
-Ky edicion do të shohë bashkë, artistë me formime e prirje të ndryshme muzikore; përkrah njeri tjetrit do të performojnë instrumentistë të moshave të ndryshme. Kjo veçori, bashkë me muzikën e përzgjedhur të traditës sa pritet të ndikojë në jetën artistike?
-Siç e dëshmon edhe titulli i këtij edicioni, ne kemi pasur dëshirën, që të prezantohen solistët më të mirë durrsakë, që punojnë brenda dhe jashtë vendit. Natyrisht, kjo gjë është e pamundur të realizohet në mënyrë të përkryer, për arsye që merren me mend, por ju siguroj se të gjithë, e kanë marrë ftesën për të qenë pjesë e këtij edicioni jubilar. Kjo Ftesë ka një efect magjik: edhe në rastin kur dikush nuk ka mundur të vijë, e ka ndjerë veten, jo vetëm të vlerësuar nga kolegët dhe artdashësit, por edhe pjesë të kësaj ngjarjeje muzikore.
 
-Në vitin 2003, ju konkretizuat edicionin e parë të “Netëve të muzikës klasike”. U rikthyet në Durrës me bindjen e plotë se artistët e mërguar ishin një tjetër pasuri, e cila duhet të bashkërendohej me artistët e rinj dhe me përvojë në atdhe. 10 vjet më vonë sa pjesë e projektit mund të quhet e realizuar?
-Që nga edicioni i parë e deri tani”Netët…” i janë përmbajtur kësaj filozofie. Nuk di ta them me cifra, por për një gjë jam i sigurtë: kjo ka qenë një festë, ndërmjet miqve e kolegëve të hua dhe shqiptarë, ku të gjithë e kanë ndjerë veten mirë duke luajtur muzikë bashkë. Çfarë mund të kërkohet më shumë se kaq?!
 
-Veprimtaritë e përdyvitshme të Bienales janë pjesë e kalendarit artistik të qytetit të Durrësit. Ato përkojnë thuajse gjithmonë me vitet e zgjedhjeve të përgjithshme apo lokale në Shqipëri. A ka kjo ndonjë ndikim në cilësinë e aktivitetit tuaj?
 -Padyshim që ka. Zgjedhjet gjithmonë krijojnë probleme, si nga ana financiare (gjë që nuk e kam kuptuar asnjëherë), ashtu edhe nga ana morale (asnjëherë nuk e kam kuptuar edhe çoroditjen paszgjedhore). Megjithatë “ la nave va’ ”. Deri ku? Nuk e di. Deri kur? As këtë nuk e di!
 
-Çdo dy vjet ju hiqni dorë nga pushimet verore, dhe bashkë me familjen tuaj me katër anëtarë, 100 përqind instrumentistë, vini në Durrës për aventurën e Bienales “Netët e muzikës klasike”. Më falni naivitetin e pyetjes: përse e bëni këtë?
 -Nuk e keni kuptuar deri tani?!
 
-…Jo.
 -As unë…!

VIOLINISTI VLASHI DHE SFIDA E TIJ SPANJOLLE
“Netët e muzikës klasike 2013” do të organizohen nga 1-7 gusht dhe do të kenë në program një sërë veprimtarish shumë interesante, që përbëjnë risi, ndërsa do të interpretohen mjaft vepra premierë për Shqipërinë.
Violinisti Florian Vlashi, I formuar në shkollën e mesme artistike të qytetit tonë dhe në Institutin e arteve (sot Universiteti I Arteve) në Tiranë, është një nga artistët më aktivë në skenat ndërkombëtare, njëkohësisht drejtues I Festivalit me traditë 10-vjeçare “Netët e muzikës klasike” në Durrës. Që nga viti 1992 Florian Vlashi ai dhe familja e tij jetojnë e punojnë në Spanjë. Ai mbërriti në pjesën veriore të Gadishullit, pas konkurimit në Gjermani, në një nga pikat e globit ku po testoheshin të gjithë ata që do të formonin Orkestrën Sinfonike të Galicisë.

75 instrumentistë me kontratë të përhershme dhe mjaft të tjerë që ftohen përkohësisht për t’ju bashkuar grupit në rastet e veprave të mëdha muzikore tashmë janë kthyer në pikë referimi për muzikën sinfonike të Spanjës dhe Evropës. Nga viti 2003-2005, OSG bëhet orkestra e përhershme e Festivalit “Rosini” në Pesaro (Itali). Gjatë vitit 2007 ajo organizon një tur koncertesh në Kili, Argjentinë, Brazil dhe Uruguaj, ndërsa në 2009 prezantohet në sallën e famshme të Vienës.

Përveç punës së përditshme në OSG, violinisti shqiptar ndërkohë ka hedhur disa hapa të tjerë, mjaft të rëndësishëm për karrierën e tij si solist dhe dirigjent.

Në vitin 1996 ai themelon grupin instrumental “Shekulli XX”, me instrumentistë nga 11 vende të botës, në repertorin e të cilit përveç partiturave të autorëve botërorë të shekullit që lamë pas si Stravinski, Bartok, Schoenberg, Debussy, do të zinin vend edhe veprat e kompozitorëve shqiptarë Çesk Zadeja, Hajg Zacharian, Feim Ibrahimi, Edmond Buharaja, Zeqirja Ballata, Akil Koci, Rafet Rudi e Thoma Simaku.

“Ambasador i kulturës shqiptare” në Spanjë do të ishte përkufizimi më i saktë për Florian Vlashin, i cili në vitin 1999 bëhet gjithashtu një nga përfaqësuesit e Shqipërisë në mediat spanjolle në mbrojtje të kauzës së lirisë së Kosovës. Po atë vit të gjitha të ardhurat e CD me veprën e plotë të muzikës së dhomës nga kompozitori Andre Gaos, të interpretuar prej tij dhe pianistit Nikolas Cadarso shkojnë në mbështetje të popullit kosovar.

Floriani vazhdon të jetë një përçues i kulturës shqiptare në Spanjë. Salloni i shtëpisë së Florian Vlashit në periferi të Korunjas kthehet herë pas herë në galeri artesh, ku ekspozohen punime të piktorëve shqiptarë, si Nikolet Vasia, Shpresa Beqiri, Bep Vlashi, Artan Shabani, etj., ndërsa ai vetë nuk i ndahet pasionit të koleksionimit të veprave të autorëve më të mirë bashkëkombas kudo që ata ndodhen.

Në 2003 së bashku me Redianën, bashkëshortja e tij violonçeliste, dhe me një grup miqsh artistë ai ndërmerr nismën për organizimin e Bienales “Netët e muzikës klasike”. Çdo dy vjet në Durrës instrumentistë shqiptarë dhe të huaj interpretojnë muzikë klasike, romantike, baroke dhe moderne, duke i dhënë jetë një jave krejtësisht ndryshe në sezonin veror të qytetit antik. Konkurimi i talenteve të rinj të shkollës artistike “Jan Kukuzeli” të Durrësit, ku Floriani ka hedhur hapat e parë në rrugën e muzikës ka krijuar mundësinë që fituesit e rinj Albana Karaj apo Kamela Hoxholli  të jenë solistë në koncertet e organizuara në Spanjë nga bashkëqytetari i tyre artist.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 30.07.2013
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

VIDEO nga Shëngjini/ Digjet një shtëpi pushimi te Rana e Hedhun, flakët rrezikojnë dhe Kishën! Ndërhyn helikopteri

VIDEO nga Shëngjini/ Digjet një shtëpi pushimi te Rana e Hedhun, flakët rrezikojnë dhe Kishën! Ndërhyn helikopteri