Violinisti Shkëlzen Doli vjen me
koncert në Tiranë me "Mozart"

Violinisti Shkëlzen Doli vjen me<br />koncert në Tiranë me
TIRANE - I njohur në skenat botërore si një nga emrat më në zë të violinës, Shkëlzen Doli vjen me një koncert të madh në Tiranë. Koncerti jepet të shtunën më 13 Qershor, ora 20.00 në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Instrumentisti i shquar do të interpretojë për herë të parë me Orkestrën Simfonike të TKOB-it, e cila do të drejtohet nga dirigjenti britanik, Geoff Westley, një emër shumë i njohur për aktivitetet e tij muzikore si dirigjent, orkestrues, producent, etj.

Doli do të luajë koncertin për violinë Nr.5 të Mozart-it. Gjithashtu do të vendoset për herë të parë në skenë, e interpretuar nga violinisti Doli, “Baresha” e Rexho Mulliqit e cila është përpunuar për violinë dhe orkestër nga Gerti Druga.

Shkëlzen Doli do të vijë sot paradite në Shqipëri. Të ardhurat e mbledhura nga koncerti i tij do të shkojnë për SOS, Fshatrat e Fëmijëve në Shqipëri, dhe do të shërbejnë gjithashtu për të lancuar një fushatë të re nga kjo organizatë, ofrimin e kujdesit me bazë familjare “foster homes”. Bileta do të kushtojë 1500 lekë në pjesën e poshtme në plate dhe 1000 lekë në galeri. Për të prezantuar programin, pjesëmarrësit dhe përfaqësues të SOS, njoftotjnë se do të zhvillojnë një konferencë për shtyp ditën e premte më 12 Qershor 2015, ora 16.00.

Shkëlzen Dolit gjatë viteve të fundit nuk i kanë munguar bashkëpunimet me Shqipërinë, ku ka dhënë një koncert me Orkestrën e Radiotelevizionit Shqiptar dhe ka qenë i ftuar special në koncertin “Tre tenorët”, etj.
 
Karriera e Dolit, një yll i Filarmonisë së Vjenës
Pas shumë çmimeve të fituara në adoleshencë dhe sukseseve në skenat europiane, fama e Shkëlzen Dollit erdhi dhe u rrit, kur ai nisi të interpretonte në prestigjiozen Filarmoni të Vjenës, në koncertin e Vitit të Ri. E gjithë bota mbante veshët nga “muzika e jashtëzakonshme”, siç e vlerësoi kritika. Muzika shqiptare buronte nga tingujt e violinës së tij, nëpërmjet valëve të radiotelevizonit austriak. Në Koncertin e Vjenës, që është maja e të gjitha evenimenteve që ndodhin në muzikën klasike në botë, violinisti Doli zë një vend të veçantë. Me një jetë komplekse familjare dhe gjithmonë “në shtegtim”, Shkëlzen Doli ka lindur në qytetin e Elbasanit në vitin 1971.

Origjina e tij është nga Gjakova. Babai i tij u gjend në Elbasan, pasi ishte arratisur në adoleshencë nga Kosova. Nëna e tij ishte nga Përmeti. I rikthyer në Kosovë së bashku me prindërit në vitet ‘80, Shkëlzen Dolli i merr mësimet e para për violinë rrett moshës 9-vjeçare në Gjakovë. Talenti i tij ra në sy dhe pasi fitoi disa çmime, në vitin 1986 ai regjistrohet në gjimnazin e Muzikës të Novi Sadit në ish-Jugosllavi, nën  udhëheqjen e mjeshtërve Imre Jambor dhe Csaba Szima.

Në moshën 17-vjeçare fitoi Çmimin e Parë në Konkursin Kombëtar të Muzikës për të rinjtë në ish-Jugosllavi dhe u regjistrua në klasën e Eëgenia Tschugaeva-s në Akademinë Muzikore të Novi Sadit. Më 1995, karriera e Shkëlzen Dolit si muzikant shënoi një sukses shumë të rëndësishëm.

Ai filloi të luante në Orkestrën Filharmonike të Vjenës. Pjesëmarrja në ansamble të ndryshme filarmonike të muzikës së dhomës, si p.sh. te “Toyota Master Players”, “Virtuozët Vjenezë” dhe Rene Staars “Ensemble Wiener Collage”, “The Philharmonics”, e ndihmoi Dolin të zinte një vend të përhershëm dhe të suksesshëm në skenën muzikore vjeneze. Ka qenë në shumë turne, si solist dhe anëtar i grupeve të muzikës së dhomës në shtete të ndryshme evropiane, në Amerikën Veriore, Afrikë, Izrael dhe Japoni. Ai bën pjesë edhe në një grup të saporiformuar të muzikës së dhomës, në ansamblin “Philharmonisches Ensemble – Wien”.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Himara pjesë e paktit Athinë-PD, që nga marrëveshja famkeqe 6 milje detit

Spahiu: Himara pjesë e paktit Athinë-PD, që nga marrëveshja famkeqe 6 milje detit