Violinisti shqiptar leksione
matematike në Spanjë

Violinisti shqiptar leksione<br />matematike në Spanjë
TIRANE- Violinisti shqiptar Florian Vlashi për një javë radhazi ka mbajtur leksione matematike para qindra nxënësve dhe prindërve në Korunja të Spanjës. Instrumentisti i njohur durrsak, i cili që nga viti 1992 punon në Orkestrën Sinfonike të Galicisë, një nga më të njohurat në gadishullin Iberik, i ka kaluar përsëri sinoret e profesionit të tij, duke u kthyer në një fenomen të medias lokale, si dhe të shikuesve të shumtë të të gjitha moshave që ndoqën koncertet e tij "Muz & Mat". Teatri historik "Rosalia de Castro" i qytetit buzë oqeanit Atlantik, ku vazhdon të funksionojë Fari më i vjetër i botës, u mbush plot nëntë herë me fëmijë e të rinj të shkollave të Korunjas, të cilët ndoqën një leksion mjaft interesant lidhur me një nga lëndët më të vështira për nxënësit adoleshentë.

Në koncertin që zgjat afro një orë, Florian Vlashi nuk është pedagogu i mërzitshëm që sqaron në tabelën e zezë formulat logaritmike, por thjesht një bashkëbisedues i këndshëm, tepër i kulturuar dhe i azhornuar, që zgjon kureshtjen e spektatorëve për lidhjet e ngushta të muzikës klasike dhe moderne me "gogolin" e shumicës dërrmuese të nxënësve, matematikën. I ndihmuar nga bashkëshortja e tij violonçeliste, Rediana Lukaçi dhe dy kolegë të tjerë instrumentistë të Orkestrës Sinfonike, Florian Vlashi ilustron me pasazhe muzikore jo vetëm tekstin e përgatitur prej tij me shumë kujdes, por edhe fotot shpesh herë të papritura, të cilat projektohen aty ku një profesor strikt matematike do të kishte instaluar tabelën e zezë.
Nga asat e matematikës dhe fizikës, Pitagora e Ajnshtajni, (pasioni i parë i të cilit kishte qenë violina), Florian Vlashi me një spanjishte për t'u admiruar kalon në konceptet matematike që kanë shfrytëzuar kompozitorët gjenialë Johan Sebastian Bah dhe Wolfang Amedeus Moxart, e më pas te modernët Iannis Xenakis e John Cage. Por nuk ndalon këtu. Pas foto-montazheve gazmore të mjeshtrave të mëdhenj klasikë i vjen radha Majkëll Xheksonit. Ditëlindja e njërit prej nxënësve-spektatorë festohet në teatrin "Rosalia de Castro" nën tingujt e një kombinimi të notave të gjeniut Moxart me "Hapy Birthday".
Në dalje të teatrit nxënësit do t'i presin gazetarët e TV lokale, ndërsa pedagogët që i shoqërojnë ata ndalen me mjeshtrin Florian Vlashi. "Ky bashkëbisedim është konceptuar disa vjet më parë, tregon 48-vjeçari Vlashi për ATSH-në, atëherë kur më kërkuan një leksion të përafërt në një nga auditoret universitare". Por me fëmijët duhet të isha më i drejpërdrejtë-vijon violinisti, edhe ai prind i dy djemve Danielit dhe Martinit, që po ndjekin ëndrrën e tij muzikore kur ishte fëmijë në Durrës, njëri në violinë dhe tjetri në piano.
Gjatë javës së kaluar Florian Vlashi ka marrë përgëzimet e dhjetra kolegëve, por veçanërisht nga prindër të shumtë, të cilët e kanë përshëndetur nismën e instrumentistit shqiptar, si dhe mbështetjen që ai ka marrë nga bashkia e qytetit Korunja dhe nga Orkestra Sinfonike e Galicisë, ku kontribuon si violinist që prej 20 vjetësh. "Afrimi i fëmijëve dhe të rinjve te muzika klasike dhe moderne është një nga prioritetet e politikës që ndjek OSG që nga formimi i saj në vitin 1992", nënvizon për ATSH-në studiuesi Javier Vizoso, i cili kryen detyren e shefit të komunikimit dhe shtypit në Pallatin e Operas së Korunjas.

SFIDA E AMBASADORIT TE KULTURES

Sfida e matematikës përballë instrumentave muzikorë nuk është e para në karrierën 20-vjeçare të Florian Vlashit në Spanjë. Ai mbërriti në pjesën veriore të Gadishullit, pas konkurimit në Gjermani, në një nga pikat e globit ku po testoheshin të gjithë ata që do të formonin Orkestrën Sinfonike të Galicisë. 75 instrumentistë me kontratë të përhershme dhe mjaft të tjerë që ftohen përkohësisht për t’iu bashkuar grupit në rastet e veprave të mëdha muzikore, tashmë janë kthyer në pikë referimi për muzikën sinfonike të Spanjës dhe Evropës. Nga viti 2003-2005, OSG bëhet orkestra e përhershme e Festivalit "Rosini" në Pesaro (Itali). Gjatë vitit 2007 ajo organizon një tur koncertesh në Kili, Argjentinë, Brazil dhe Uruguaj, ndërsa në 2009 prezantohet në sallën e famshme të Vienës.
Në vitin 1996 ai themelon grupin instrumental "Shekulli XX", me instrumentistë nga 11 vende të botës, në repertorin e të cilit përveç partiturave të autorëve botërorë të shekullit që lamë pas si, Stravinski, Bartok, Schoenberg, Debussy, do të zinin vend edhe veprat e kompozitorëve shqiptarë Çesk Zadeja, Hajg Zacharian, Feim Ibrahimi, Edmond Buharaja, Zeqirja Ballata, Akil Koci, Rafet Rudi e Thoma Simaku. "Ambasador i kulturës shqiptare" në Spanjë do të ishte përkufizimi më i saktë për Florian Vlashin, i cili në vitin 1999 bëhet gjithashtu një nga përfaqësuesit e Shqipërisë në mediat spanjolle në mbrojtje të kauzës së lirisë së Kosovës. Po atë vit të gjitha të ardhurat e CD me veprën e plotë të muzikës së dhomës nga kompozitori Andre Gaos, të interpretuar prej tij dhe pianistit Nikolas Cadarso shkojnë në mbështetje të popullit kosovar.
Floriani vazhdon të jetë një përçues i kulturës shqiptare në Spanjë. Edhe dje në intervistën 1-orëshe të gazetarit Anton de Santiago, të transmetuar në emisionin "Allegro domingo", të ftuarit para se të interesohen për leksionet Muz & Mat kanë dashur të dijnë më shumë për Shqipërinë, Skënderbeun e Jan Kukuzelin. Gazeta "La Opinión" e titullon shkrimin e Julio Andrades "Në vendin e matemagjisë", për të vijuar: "Me spjegime të vetë drejtuesit, projeksione imazhesh dhe nje kuartet harqesh, zhvillohet ky program prej nje ore. Pika më spektakolare ishte interpretimi i një vepre të re të Mozartit në 9 premiera të ndryshme në baze të kombinacioneve pafund të zareve muzikor. Numri total i mundësive eshte 46 mijë miliard".
Salloni i shtëpisë së Florian Vlashit në periferi të Korunjas kthehet herë pas herë në galeri artesh, ku ekspozohen punime të piktorëve shqiptarë si, Nikolet Vasia, Shpresa Beqiri, Bep Vlashi, Artan Shabani, etj., ndërsa ai vetë nuk i ndahet pasionit të koleksionimit të veprave të autorëve më të mirë bashkëkombas kudo që ata ndodhen. Në 2003 së bashku me Redianën dhe një grup miqsh artistë ai ndërmerr nismën për organizimin e Bienales "Netët e muzikës klasike". Çdo dy vjet në Durrës instrumentistë shqiptarë dhe të huaj interpretojnë muzikë klasike, romantike, baroke dhe moderne, duke i dhënë jetë një jave krejtësisht ndryshe në sezonin veror të qytetit antik. Konkurimi i talenteve të rinj të shkollës artistike "Jan Kukuzeli" të Durrësit, ku Floriani ka hedhur hapat e parë në rrugën e muzikës, ka krijuar mundësinë që fituesit e rinj Albana Karaj apo Kamela Hoxholli të jenë solistë në koncertet e organizuara në Spanjë nga bashkëqytetari i tyre artist.
Leksionet "Muzika dhe Matematika" që u organizuan këto ditë në Spanjë mund të jenë një shtysë e mirë për një "aventurë" tjetër në Atdhe. Pas auditoreve të organizuara në Korunja në gjuhën spanjolle zor se do të gjendet një lektor më i zoti në këtë fushë se Florian Vlashi.
(burimi atsh)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Aksident në aksin Gjirokastër-Tepelenë, makina përplas 75-vjeçaren! E moshuara dërgohet në spital

Aksident në aksin Gjirokastër-Tepelenë, makina përplas 75-vjeçaren! E moshuara dërgohet në spital