Violinistja që bën stoli me gurët
e çmuar të detit e të tokës

Violinistja që bën stoli me gurët<br />e çmuar të detit e të tokës
Anttuaneta Kaçi, atëherë kur shkollat e muzikës lulëzonin edhe në qytete të tjera të vendit dhe jo vetëm në Tiranë, ishte një talent në violinë. Nuk i ka harruar emocionet e fëmijërisë, kur ajo në violinën solo shoqërohej në një koncert nga pedagogët e saj, nga ata që edhe sot i ka idhuj.

Pas ‘90-s dashuria dhe pasioni i Netës, siç e thërrasin të gjithë miqtë e saj, u trondit për një farë kohe. Ku shkoi ajo dashuri për artin, për të bukurën, me të cilën ishte rritur. Shkollat institucionet nuk punonin më me atë nivel si më parë. Në mes të udhëkryqeve që hapi koha, ajo pa hequr dorë nga violina zgjodhi të bënte një punë tjetër, sigurisht për nevoja jetese, por që asnjëherë s’e pa plotësisht si të tillë. Bota e Anttuaneta Kaçcit lidhet fort me artin e të bërit stoli nga gurët origjinalë, duke nisur që nga kristalet, perlat, koralet, mefisti, akumarina, etj.

Gurë të tokës e të detit për veshin e violinistes lëshojnë një tingull që vetëm ajo mund ta dallojë. Neta nis të ketë një lidhje shpirtërore me ta, dhe prej dhjetë vjetësh ka rrëmbyer zemrën e klientëve me biznesin e saj modest, ku bën stoli që përcjellin sipas saj dashuri. Ndaj dhe dyqani i saj pranë Sheshit Willson në Tiranë mban emrin “Kupidi Jewllery of Love” (Kupidi, stolitë e dashurisë). E takuam për Suplementin “Drej punës” në dyqanin e saj. Me pinca të vogla në dorë, me buzëqeshje gjatë thurjes së rruazave dhe vathëve, ajo bën me dorë gjithçka që sheh në vitrina, merret me to si me një vepër arti.       
 
 Dyqani juaj mban emrin “Kupidi Jewellery of Love” le ta themi ndryshe “Dashuri dhe bizhu”. Pse ky emër?
 

Sepse ky dyqan është ndërtuar i gjithi me dashuri, prandaj edhe i është vënë emrin “Kupid”, që është engjëlli mbrojtës i dashurisë. Godet drejt e në shenjë. Ashtu si të gjitha krijimet që ndërtohen në dorë, godasin për ata që i duan, drejt e në zemër. Është dyqan që është ndërtuar përpara 9 vitesh. Unë me profesion jam violiniste, dhe kam zgjedhur të ndërtoj edhe këtë lloj arti me gurë natyralë, jo bizhu. Bizhuja është tjetër dhe guri natyral është tjetër.
 
Pikërisht, duke e ditur se keni një tjetër profesion, doja të dija se çfarë të nxiti që t’i hyje kësaj rruge të krijimit të artit me gurët e çmuar?

Duke qenë artiste kam menduar se që të jesh artist nuk mjafton vetëm që të luash në një vegël muzikore ose të pikturosh. Thjesht duhet që t’u prish gjërave mendërisht më shpejt. Shijet janë të lindura. Pra, përderisa shija është e lindur, unë e materializova në gur, në varëset e këtij dyqani, që ju do t’i shikoni në këto rafte. 
 
Përse nuk e vazhdove karrierën në institucionet tona para disa viteve? Pati ndonjë problem me mënyrën e organizimit të këtyre institucioneve apo ishte zgjedhja juaj?

Karriera ime vazhdoi në violinë për 9 vjet. Unë bëra mësuesen e violinës. Siç erdhën gjërat në Shqipëri pas ‘94-‘95-s, gjërat nuk ishin aq të forta në kërkesa sa ne ishim mësuar. Ne ishim mësuar të studionim dhe t’i jepnim me dashuri gjërat. U nënvleftësuam. Nga ky moment mendova që të dilja privat dhe të bëja këtë punë që bëj.
 
Pra ju keni bërë një shkollë për violinë në ato vitet kur kishte profesorë të mëdhenj, artistë të nderuar dhe arti i violinës zhvillohej mirëfilli. Më trego pak për shkollën e violinës?

Po të tregoj, dhe po të filloj të tregoj nuk ka fund tregimi, sepse unë e fillova violinën që 6 vjeçe me mësues jashtëzakonisht të zotët e të përkushtuar. Mendoj se të japësh mësim, të jesh mësues, nuk do të thotë vetëm që të jesh mësues për të mësuar një vegël muzikore, por të kultivosh edhe shijet. Dhe shijet edukohen me të atillë mësues që u përkushtuan kaq shumë na e dhanë edhe neve shijen artistike. Kur ne dolëm në jetë, nuk mundeshim, mendoj, që të jepnim aq shumë dashuri, sepse vetë gjërat ndryshuan, artet nuk patën atë zhvillim e atë vrull që kishin para viteve ‘90. Ne menduam që të jepnim ashtu si mësuesit tanë me shumë dashuri mësimin. Por edhe vetë prindërit nuk e kishin më atë dashuri, atë insistim për fëmijët që të studionin violinën. Më shumë filluan t’i çonin në top, në sport, në not. Violina dhe pianoja u anashkaluan shumë, kështu që nga ky moment... Ne deshëm ta jepnim mësimin ashtu si mësuesit tanë na e dhanë me shumë dashuri.
 
Kujton dot një model nga profesorët e tu?

Po. Kujtoj Pranvera Ahmetin, mësuesen time të klasës së parë, të cilën unë e kam idhull akoma. Nuk na mësoi vetëm violinën, na mësoi se si të visheshim, si të flisnim, si të ecnim. Na mësoi biçikletën, na mësoi pingpongun, gjëra të cilat në Gjirokastër ku unë e bëra shkollën, ishin të padëgjuara. Prandaj edhe e kam idhull. Ajo nuk na mësoi thjesht vetëm veglën muzikore. Çdo gjë, ndoshta edhe shijen që morëm, na e kultivoi ajo.
 
Pra, vërtet kanë qenë shkolla karakteristike, shkolla që kultivonin shije, sepse edhe artistët e atyre shkollave dalloheshin për veshjen, delikatesën, finesën.

Absolutisht që po. Mësueset tona të solfezhit e të violinës ishin femra jo vetëm me botë dhe të talentuara, por visheshin bukur, ishin me shije. Sigurisht që të jesh artist, mendërisht duhet të jesh më i hapur se të tjerët dhe jo vetëm thjesht të luash në një vepër muzikore. Për mua kjo është shumë e rëndësishme, që mendërisht të jesh më i hapur se të tjerët, sepse duke qenë fëmijë dhe duke mbajtur një vegël në dorë, në krah, ti je më i privilegjuar se të tjerët. Dhe ne u rritëm me personalitet, dhe jo vetëm unë, por sigurisht të gjithë ata që luajnë në një vegël, të gjithë artistët kanë tjetër personalitet nga njerëzit e tjerë të zakonshëm.
 
Të kthehemi te bota jote e gurëve të çmuar. Kanë tingull gurët e çmuar?

Sigurisht që kanë.
 
Ma thuaj pak poetikisht, ashtu si ti e ndjen këtë marrëdhënie me tingullin.

Kanë shumë tingull, d.m.th. çdo varëse, çdo krijim është dashuri më vete. Absolutisht, që nga momenti që neve tani po komunikojmë dhe po bëjmë këtë intervistë, unë mundem që, pas bisedës sonë, të krijoj diçka. Çdo gjë, çdo njeri që takon, çdo vrap që bën nga Liqeni, çdo lule që sheh, kthehet në art kur ti vjen brenda. Dhe çfarë bën? I merr gurët një e nga një dhe ti fillon kompozon si puna e një telajoje ku ne hedhim ngjyrat. Çdo gjë që ke në mendje, është poezi, sigurisht. Sigurisht që është këngë, poezi, patjetër. Kjo demonstrohet në këto krijime,  ku çdo gjë ka një karakter, ka një botë të brendshme.  Është pasion.
 
Kam vënë re që ti e përshtat edhe me marrëdhëniet psikologjike të klientit varëset apo rruzat e vathët që ofron, që i ndërton posaçërisht për të. Çfarë ke gjetur në këtë lloj marrëdhënieje?

Besoj se ky dyqan ka funksionuar në 10 vjet, pikërisht për kët, sepse unë i njoh të gjithë njerëzit që vijnë për të blerë në këtë dyqan. Janë të dashuruar, në radhë të parë, mendërisht me mua, pastaj edhe me krijimet e mia. Jo çdokush e dashuron këtë. Jo çdo njeri. Jo cilido njeriu që futet në këtë dyqan i përket diçka. Mundet që të hyjë një njeri dhe të mos e gjejë veten. Aftësia ime është që unë të di se çfarëdo klienti që vjen, në lëkurë, në karakter. Jo çdo varëse i përket një qafe, një karakteri, një syri. D.m.th. këtu blihet një gjë nga momenti që personi që futet brenda flet. Dhe unë e kap me psikologji dhe çdo varëse ka një psikologji të caktuar. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Njerëzit që hyjnë në dyqan nuk munden thjesht, mekanikisht që të blejnë diçka. Është e pamundur. Duhet të rrinë, të pimë një kafe. Kafja presupozon që ne të bisedojmë se çfarë bote ka, çfarë karakteri ka, sepse anën fizike unë e shikoj vetë se çfarë i duhet, sa e gjatë, sa e shkurtër etj. Por, pa e njohur si karakter klientin, nuk mund të blihet varëse në këtë dyqan.
 
Pastaj vë re që varësja juaj kthehet në një dashuri për personin. Është një vepër arti, kjo është e bukura.

Do të të them një sekret. Çdo njeri një punë e bën për të fituar lekë. Sigurisht që, përveçse dashurisë, do të fitojmë dhe lekë për të jetuar, sepse dyqani është me qira, gjërat janë të shtrenjta, etj. Problemi që unë nuk po mësohem dot në këtë dyqan është që, që nga momenti që një varëse shitet unë kam dhimbje. Është si puna e një fëmije që të ikën, është dashuri. Është e krijuar një herë, nuk përsëritet kurrë. Unë nuk e mbaj mend krijimin dhe ky është trishtim i madh, sepse janë ato lekët për ne artistët sikur nuk bëjnë punë, por që duhen sepse kjo është jeta. Kështu që me këtë aspekt unë nuk kam për t’u mësuar asnjëherë. Para disa ditësh më vjen një zonjë, që kishte blerë para 4 vjetësh diçka në dyqan dhe rikthehet. Ajo jeton në Amerikë. Dhe kishte vendosur një krijim timin në qafë. Dhe unë, sapo hyri, thashë: “Uau! Qenka shumë e bukur!”. “E ke bërë ti”, më tha. U rrëqetha.
 
Sepse janë punë që bëhen me shumë pasion. Botën e gurëve që janë një pasuri e tokës, si e ke prekur, si e ke ndjerë, si i ke mbledhur? Sepse shoh gurë të llojeve të ndryshme, të krijuar nga deti, nga toka, nga vullkani, nga të gjitha ato gjurmë të jetës tokësore, si kristalet e shumë e shumë gurë të tjerë.

Ngaqë kam qenë gjithë jetën njeri i vërtetë, kam dashur që të punoj me diçka të vërtetë dhe këtë gjë e gjeta te gurët e vërtetë. Në këtë dyqan, nëse do të futej material tjetër, mundet që unë të kisha më shumë punë, por, ne artistët nuk i shumëfishojmë dot lekët. E rëndësishme për ne është që të bëjmë atë gjë që dashurojmë. Edhe unë e ndërtova me gurë natyralë punën time, ashtu siç jam edhe unë vetë, natyrale. Gurët vijnë nga shkëmbinj natyralë, sigurisht që përpunohen në fabrikë, iu bëhet vrima ku shkohet filli. Kanë një lidhje me njerëzit, sepse çdo muaj datëlindjeje ka gurin e vet. Kemi gurin e muajit dhe gurin e fatit që të mbron, sepse shumë njerëz mund të jenë skeptikë për këtë që them, por jo, se këta janë natyralë. Dhe natyra ka një marrëdhënie universale me faunën, florën, objektet dhe njerëzit. Çdo muaj ka gurin e vet dhe unë po t’i them disa sepse ka edhe njerëz që s’i dinë. Ka sigurisht njerëz që i dashurojnë gurët natyralë, kanë hapur internetin, kanë lexuar për ta. Por jo çdo njeri këtu i dashuron këta gurë. Mund t’ju tregoj disa gurë të çmuar sipas datëlindjeve:
Janari ka garnetin, që është një gur shumë i bukur, me ngjyrë vishnje dhe mbrojtës ka oniksin, që është një gur i zi sepse muaji ka gur tjetër dhe mbrojtësi është tjetër gur.
Shkurti ka mefistin. Është i vetmi muaj që edhe në datëlindje edhe si mbrojtës ka të njëjtin gur, një gur jashtëzakonisht i bukur.
Marsi në datëlindje ka akuamarinën, dhe mbrojtës ka blu agatlej.
Prilli ka kubik zirkon dhe mbrojtës ka kristalet.
Maji ka smeraldin dhe mbrojtës ka malakitin, një gur jeshil natyral shumë i bukur. Edhe smeraldi jeshil është dhe njerëzit e njohin. Ndërsa për ata që nuk e njohin malakitin mund të futen në internet dhe ta shohin.
Qershori ka perlën dhe mbrojtës ka syrin e tigrit.
Korriku ka rotkuars dhe turkezin si mbrojtës, që është një gur bojë qielli.
Gushti ka peridoklin dhe mbrojtës ka kamelian, që është një gur ngjyrë kafe, shumë i bukur. Të gjithë vijnë nga shkëmbinj natyralë. Nëse këta bien në tokë thyhen dhe ti shikon në mes që këta janë mat, nuk e kanë shkëlqimin që fabrika u ka dhënë për t’u dukur, për t’u varur. Nëse këta bien, thyhen sepse janë natyralë dhe bëhen copa-copa, siç themi ne.
Vazhdojmë me shtatorin që ka safirin në datëlindje dhe ka lapis laxulin si mbrojtës.
Tetori ka pinktum marin dhe roz kuarc si mbrojtës.
Nëntori ka blu topaz dhe rogonit si mbrojtës.
Dhjetori ka tanzanitin dhe mbrojtës ka turkezin.
Këta ishin të gjithë muajt që kanë gurin e tyre që u përshtatet. Kjo është një gjë thjesht mekanike, por njerëzit edhe mund të fiksohen. Përveç dizajnit duan edhe gurin e tyre ose mbrojtës ose të datëlindjes, sepse çdo njeri ka ato besimet e veta.
 
E quan si një sfidë që ke arritur të gjesh veten në këtë mënyrë punësimi?

Po, e quaj, megjithëse nuk është kollaj, por e quaj sfidë, sepse këto nuk janë as oriz as sheqer as bukë as rroba që njerëzit i veshin. Këto janë një gjë që edhe e vë edhe nuk e vë. Janë dashuri. Jo çdo njeri futet këtu. E shikoj si shumë sfidë. Për t’i lënë gjërat, për t’i falimentuar është shumë kollaj, por një gjë që njeriu e do (sigurisht që kjo varet nga personaliteti, unë gjërave që dua u shkoj deri në fund) do ta vazhdojë këtë punë, gjithmonë me dashuri.
 
Ju keni mbaruar vetëm shkollën e mesme apo edhe të lartën për violinë?

Unë kam mbaruar edhe të lartën, Akademinë e Arteve për violinë. Vazhdoj ende të studioj violinë, gati 4-5 orë në ditë. Jam duke menduar për të bërë edhe diçka, por do t’ia lë kohës për t’iu rikthyer skenave si dikur. Shpresoj që të bëhet ndonjë gjë. Por kjo do shumë studim, sigurisht që kapitalizmi është shumë i vështirë, i egër, sepse duhet të mbijetosh. Por edhe unë si vuaj të njëjtën situatë si të gjithë artistët në Shqipëri që aty ku ka vlera të vërteta dhe art të vërtetë, ka edhe më pak lekë. Aty ku ka pseudoart ka më shumë lekë.
 
Cilat kanë qenë disa nga skenat për të cilat ke pasur nostalgji, që të kanë lënë shenjën e mirë.


Mua shenjë më kanë lënë gjithmonë skenat. Përcaktuese për mua është fëmijëria, skena kur kam qenë e vogël, sigurisht. Unë kam luajtur që 14 vjeçe me orkestrën simfonike të Gjirokastrës. Kam luajtur solo, kam qenë fëmijë dhe sigurisht që këto janë mbresa që nuk shlyhen. Pastaj kur rritesh ti e kupton që mund të jesh në një skenë, kurse kur je fëmijë dhe luan me një orkestër të madhe është një mrekulli. Shikon të gjithë profesorët e tu që luajnë dhe ti, e vogël, je në skenë dhe luan solo, ndërkohë që ata të shoqërojnë. Kjo s’ka për t’u harruar asnjëherë.
 
Violina, dashuria jote e fëmijërisë, dashuria jote e pashuar. Tani të mbetemi te një mesazh që ti dëshiron t’u japësh klientëve apo qoftë edhe njerëzve të tjerë në marrëdhëniet me bizhutë, femrave. Si duhet të raportohen këto në mjedis me estetikën e tyre, në marrëdhënie me stolitë?
 
Nuk e di. Do të jap një mesazh shumë të thjeshtë, të drejtpërdrejtë, të thjeshtëzuar fare: “Njerëz bëni ato çfarë doni në këtë jetë, dashuroni punën tuaj”. Më vjen mirë që në këtë dyqan përgjithësisht futen njerëz që merren me punë me rëndësi,  bëjnë gjëra me vlerë, janë të dashuruar, që dashurohen me çdo gjë, këtu nuk futet ajo kategori që nuk i dashuron këto gjëra.
 
Ju dukeni një natyrë shumë punëtore. Mund të ma përshkruani një ditë tuajën, që e mendoj gjithë lëvizje, gjithë gjallëri?

Po, por nuk mendoj që kjo punë që bëjë unë bëhet me punë fizike, jo. Sepse unë mund të ideoj një varëse, marr një impuls nga një gjë, qoftë edhe nga një vrap, qoftë edhe nga një not, qoftë edhe nga një bisedë që bëj. Nuk është thjesht punë fizike, është një punë me dashuri, me mendje, me pasion. Kur unë ideoj nuk është se unë bëj 10 varëse në ditë dhe lodhem. Absolutisht që ana mekanike në këtë dyqan nuk ka të bëjë fare, është shumë e thjeshtë. Këtu është e gjitha botë.
 
Të jetosh jetën me dashuri, të zgjedhësh profesionin që dashuron. Suksese! Është një arritje e bukur.

Faleminderit. Është e vërtetë. Këto janë pjesë të karakterit, të personalitetit. Njeriu po nuk bëri atë që dashuron në jetë, qoftë edhe me të ardhura më të pakta, këtë do ta them vazhdimisht, por ama jam shumë e lumtur që bëj atë që dua.

anttoneta

anttoneta

anttoneta
 

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Çudira shqiptare, Apolonia e fillon ndeshjen kundër Partizanit me 9 lojtarë! Arsyeja

VIDEO/ Çudira shqiptare, Apolonia e fillon ndeshjen kundër Partizanit me 9 lojtarë! Arsyeja