Të paktën 40 raste në ditë shënohen në pediatrinë e Spitalit Rajonal të Beratit me fëmijë që paraqiten për të marrë kujdes shëndetësor. Kryesisht, të prekur nga virozat, në një periudhë kur edhe temperaturat e larta kanë ndikuar në gjendjen shëndetësore të tyre.

Grupmoshat më të prekura janë ata nga 1 deri në 11 vjeç. Sipas shefit të Repartit të Pediatrisë, mjekut Vladimir Kumaraku, gjatë kësaj periudhe kanë dominuar gjendjet virale, kryesisht problemet gastro-intestinale, të shoqëruara me të vjella, diarre, temperaturë të lartë, lodhje dhe dobësi.

“Kjo virozë është mjaft agresive, paraqiten mesatarisht 40 fëmijë në ditë për vizitë, ndërsa pas ekzaminimit rreth 1/3 e tyre hospitalizohen. Viroza ka simptoma temperaturë, lodhje, zbehje të fytyrës dhe pafuqi, ose të vjella në seri”, thotë Vladimir Kumaraku.

Një tjetër veçori e këtij sezoni është numri i fëmijëve të huaj dhe të familjeve emigrante që po kërkojnë ndihmë mjekësore në spital. Mjeku Kumaraku tregon se disa prej tyre janë ekspozuar në temperatura të larta, duke shëtitur në qytet gjatë orëve të drekës pa marrë parasysh veçoritë klimatike të vendit tonë.

“Ka mjaft raste të huaj dhe emigrantë. Shëtisin në orët e drekës”, shton ai.

Në kushtet e temperaturave të larta, pediatri u bën apel prindërve të tregojnë kujdes të veçantë për fëmijët. Ai këshillon që të vegjlit të mos ekspozohen në diell gjatë orëve të pikut, veçanërisht nga ora 10:00 deri në 15:00, të konsumojnë mjaftueshëm lëngje dhe të respektohen rregullat e higjienës, ushqyerjes dhe veshjes së përshtatshme.