Viti 1930, Kristo Floqi, dramaturgu
dhe komediografi nismëta

Viti 1930, Kristo Floqi, dramaturgu<br />dhe komediografi nismëta
Kristo Floqi (1876-1949), përveç si shtetar, atdhetar, publicist, poet e jurist i shquar, njihet në fushën e letrave edhe si dramaturg e komediograf. Lindi në Korçë. Studioi për drejtësi në Athinë, Greqi, ku edhe fitoi titullin doktor (1899). Qysh i ri u aktivizua në lëvizjen patriotike për pavarësinë e vendit; për këtë edhe u ndoq nga pushtuesi turk dhe u detyrua të emigrojë në SHBA, ku mori pjesë në lëvizjen për çlirimin e vendit, u bë një ndër themeluesit e Federatës Panshqiptare “Vatra”, duke drejtuar përkohësisht edhe gazetën Dielli. Me krijimin e shtetit shqiptar u kthye në atdhe, mori pjesë aktive në jetën shoqërore e politike, dhe më 1919 drejtoi revistën Agimi të Shkodrës. Pati poste të larta në administratën shtetërore të monarkisë dhe atë të pushtimit italian (1939). Ishte politikan me prirje liberale, personalitet i shquar i kulturës dhe letrave shqipe.

Krijimtaria e tij u zhvillua në disa rrafshe. Krahas punës si hartues i 4 veprave juridike, artikujve të shumtë publicistikë, ai botoi edhe 7 përmbledhje me vjersha satirike, 8 drama dhe 22 komedi, përktheu 8 vepra dramatike nga klasikët grekë dhe francezë, duke lënë në dorëshkrim edhe shumë të tjera, çka të gjitha së bashku përbënin një fond prej 36 vepra letrare. Dramat janë: Fe e kombësi (1912), Karllo Topia (1916), Pirro Neoptolemi (1923), Triumfi i lirisë (1938), si dhe Qyprilinjtë, Skënderbeu në Itali, Fatzeza..

Dramat e tij përvijohen brenda caqeve të romantizmit, ku shquajnë motivet patriotike, kontrastet dhe patoset e forta, fjala e ngritur, migrimi në kohët e hershme e të zulmshme, dëshira për të risjellë që andej në vëmendje të lexuesve pikat më të ndritura të historisë së popullit shqiptar me qëllim evokimin e heronjve të ndritur dhe bëmave të tyre, nxitjen për të fituar lirinë dhe pavarësinë. Përveç këtij synimi, në këto drama kumtohet edhe një problematikë e mprehtë sociale e morale në dobi të emancipimit të mëtejshëm shoqëror, shpirtëror dhe kulturor të kombit. Më së shumti subjektet janë marrë nga historia, por është pasur parasysh gjendja konkrete social-politike e vendit, rrjedhimisht ai prek plagë e lëndime, ide e shqetësime në formë pretekstesh, të cilat rreket t’i njëmendësojë më pastaj si parabola e situata të tërthorta asociative.

Drama Fe dhe kombësi (1914) rreh problemin e anashkalimit të dasive fetare për kurorëzimin në martesë të një çifti të rinjsh të dashuruar, Ganiut dhe Maros, që i përkasin besimeve të ndryshme fetare. Sado që rrethanat e dramës të çojnë në lëvizjen kryengritëse të vitit 1831 në krahinën e Labërisë, të udhëhequr nga Zylyftar Poda, ato shërbejnë vetëm si mundësi përligjjeje për kapërcimin e dasive fetare tek martesat mes shqiptarëve, pasi feja e vërtetë e tyre ishte bashkimi, kombi dhe atdheu. Ndërkaq, drama kritikon edhe diferencimet pasurore apo klasore që i vihen shpesh si pengesa dashurisë së të rinjve. Notat melodramatike dhe fataliste, që ndërfuten enkas në vepër përmes linjës së martesës së parealizuar të Latifesë me Ganiun, linjë e cila pasohet më tutje me vdekjen e saj dhe të atit, Rakip beut, krijojnë vetvetiu një zgjidhje të sforcuar. Ajo pëlqehet si e tilla nga autori, në voli të pohimit të porosisë atdhetare dhe rilindëse për unitet dhe bashkim mes shqiptarësh me fe të ndryshme. Drama është e shkruar në vargje dhe ka tone ekzaltuese patriotike.

Në dramën Triumfi i lirisë (botuar më 1938) vijnë motivet e përpjekjeve për pavarësi. Ngjarjet zhvillohen në Cakran të Mallakastrës dhe Vlorë. Fryma romantike zotëron. Ndër personazhet e vizatuara me sens e vërtetësi janë Skëndua dhe Lulja, at e bijë, më tutje Bakushja, Musai, kajmekami Hajdar Kaloshi etj. Përbetimi i shqiptarëve i udhëhequr nga atdhetari Skëndo Gjata kundër masave shtrënguese e shkombëtarizuese të xhonturqve, pasohet nga veprime e përpjekje për kryengritjen e armatosur. I tradhtuar nga dhëndëri i tij, Musai, ai arrestohet. Ngjarjet marrin një kah tashmë dramatik duke u zhvendosur brenda familjes. Lulja e vret të shoqin turkofil e tradhtar, pas një provokimi që i bën për të mësuar të vërtetën, dhe i bashkohet kryengritjes për liri e pavarësi. Në dramë veprojnë si personazhe edhe disa figura të njohura historike si Themistokli Gërmenji, Çerçiz Topulli, Mihal Grameno, Ismail Qemali. Vepra mbyllet me triumfin e lirisë në Vlorë kur Ismail Qemali ngre flamurin e shumëpritur shqiptar.  Tonet e saj romantike, fryma atdhetare, diskursi i lartësuar enkas, përveç pohimit të disa ideve tejet aktuale, e kanë ulur dramacitetin e njëmendtë, posaçërisht në thellimin e linjës Lule-Musa-Skëndo, Bakushe, si apogjeu i mundshëm i këtij dramaciteti.

Pirro Neoptolemi është një dramë e nxitur nga Andromaka e Rasinit, e përbërë nga 5 akte, por që sjell ide aktuale për shqiptarët që deshën të shkëputen nga robëria turke. Personazhet janë po ata: Pirro Neoptolemi, Andromaka, Hermiona, Oresti, Piladi. Ndryshe nga Rasini (Jean Baptiste Racine) dhe Euripidi, ku tragjeditë mbyllen me vrasjen e Pirros, K. Floqi e përjashton këtë duke e zëvendësuar vdekjen e tij me atë të Adromakës dhe Hermionës. “Fataliteti i heronjve këtu shihet si pasojë jo e fatit, por e veprimeve njerëzore dhe e paaftësisë së tyre për t’i baraspeshuar pasionet me arsyen” Pra, kemi aplikimin e poetikës klasiciste me tipologjinë që kërkonte kjo dramë në mënyrën e realizimit të personazheve dhe konceptimit të konfliktit si tepri pasionesh që sjellin për pasojë tejkalimin e të drejtës nga Pirrua tek Andromaka. Autori ka gjakuar drejt një bote komplekse në skalitjen e personazhit të Pirros Kurse, i përvuajtur nga dyzimet, luhatjet, refuzimi i dashurisë së tij dhe sjellja prej mbreti, çka e sjell atë si një tip të vendosur në rrethanën shoqërore bashkëkohore që sundonte në Shqipërinë e trazuar dhe të paqartë.

Karllo Topia (1916), sado që e merr subjektin nga përpjekjet e mbretit të Napolit dhe Aragonës Robert Guiskardit për të aneksuar Shqipërinë dhe triumfi i Karlo Topisë mbi të, mesazhi i saj të çon në nevojën e bashkimit të trojeve shqiptare, të copëtuara nga ushtritë pushtuese, ashtu sikundër ishte Shkodra në vitin 1916. Drama nuk i qëndron besnik kuadrit historik dhe tejkalon shumë nga të dhënat e njohura. Ajo niset nga motivet atdhetare duke e mitizuar faktin historik për efekte mesazhore, çka vihet re në këqyrjen e raporteve të Topiajsve të Durrësit dhe Balshajve të Shkodrës, me idenë e një bashkimi kundër dasive, që çonin ujë në mullirin e pushtuesve. Karli e fal tradhtinë e Balshës që iu bashkua ushtrisë së Guiskardit, lidh aleancë me të dhe, madje, martohet me motrën e tij, Katerinën, të cilën e dashuronte herët. Drama ka një intrigë të ngarkuar me vrasje e krime sipas modelit shekspirian (vrasja në gjumë e Ndrekës dhe Irenës nga Robert Guiskardi, vrasja e këtij të fundit nga Karli).
     K. Floqi shkroi 22 komedi me një akt: Rrogat e nëpunësve, Lojnat e studentëve, Do vras vedin, Vllazni e interes, E bij e bankierit, Dhëndër me përdhuni, Merre ta marrim, Nder e qytetari, Kundërshtarët e prikës, Pësimet-mësime, Zi e më zi, Reklamë e blof, E mbesa e krahinorit, Akraballëket, Ministri kandidat, Burri-burrë, Tezja e Karlit, Qerthulli politik, Monologë komikë teatrorë, Përfundimet e zilisë, Fat i papritur.
 
Nëse do të bënim një farë klasifikimi, pjesa më e madhe e tyre ngjason me strukturën letrare të farsës, ndërsa disa të tjera si Akraballëket, Qerthulli politik, Rrogat e nëpunësve, Ministri kandidat, E mbesa e krahinorit, Vllazni e interes, Kundërshtarët e prikës, Pësimet-mësime identifikohen më lehtë si komedi satirike. Dukuritë komike paraqiten aty të larmishme dhe bartin një problematikë të mprehtë...

...Disa nëpunës të pafytyrë, gjer edhe ministra, fill pas rrëzimit të qeverisë së Princ Vidit, rrogat e prapambetura të tyre ua kërkojnë italianëve, duke nuhatur e kuptuar se ata interesohen për Shqipërinë, pra dhe janë gati të shiten dhe të vihen në shërbim të një pushtuesi të mundshëm si sahanlëpirës që janë, pa kurrfarë morali politik atdhetar (Rrogat e nëpunësve - 1923); etja për pushtet, sidomos tek disa njerëz të paaftë dhe pseudoatdhetarë, që për karrigen e ministrit thurin ëndrra natë-ditë se si mund të përfitojnë, të zhvatin e të pasurohen, andaj dhe janë gati të zhbëjnë gjer edhe familjen (Ministri kandidat - 1926); abuzimi me postin zyrtar, paaftësia dhe korrupsioni, vjedhjet e fondeve publike për rregullimin e rrugëve, mashtrimet dhe hiletë e një krahinari të një fshati të largët për t’i shpëtuar ndëshkimit, të gërshetuara me situata të këndshme komike, të papritura, alogjizma dhe paradokse, që vënë në lojë injorancën e nëpunësve të lartë të pushtetit si prefektin e Beratit dhe shkaktojnë habi me shpëtimin nga ndëshkimi të krahinorit në saje të mbesës së tij, Bajames, e cila martohet me inspektorin (E mbesa e krahinorit - 1926); ushtrimi i profesionit të mjekut prej njerëzve profanë, pa diploma, të cilët nisen thjesht nga fitimi dhe jo nga mjekimi i pacientëve, qoftë ai një farmacist, a një dentist i vetëshpallur, a një veteriner, madje edhe shërbëtori i Nardinit, i veshur si mjek thjesht për ta shëruar të zotin, shtiret si i tillë (Doktorllëqet - 1927); tre të rinj, Petraqi, Kostaqi dhe Jorgaqi, hiqen si të moderuar duke qenë kinse kundër martesave me prikë, por në fakt, nga loja që u kurdis shërbyesi i kafenesë Pantushi, zhvishen nga hipokrizia dhe shtirja me njëri-tjetrin dhe të tre interesohen për t’u martuar me vajza që kanë pajë e pasuri me qëllim përfitimi, çka më në fund, tashmë të demaskuar, hipokritë, lakmitarë dhe të bjerrur si karaktere, i fshihen dhe i bishtnojnë më kot njëri-tjetrit (Kundërshtarët e prikës - 1922); dy të rinj shkodranë, Zefi dhe Keli, të paaftë, mashtrues dhe maskarenj, kurdisin një lojë, ku i pari bëhet tellall i gjoja pasurisë së të dytit, me qëllim që ky të marrë për nuse një nga vajzat më të pasura të qytetit dhe më pas pasurinë e fituar me hile ta ndajnë të dy së bashku, por që në fund mashtrimi dhe blofi zbulohen dhe që të dy ata diskreditohen e shpotiten si hileqarë e parazitë (Reklamë e bllofë – 1926); prindër si Tasi, një tregtar plak e i pasur, që përpiqet ta pengojë dashurinë e të bijës, Vikos, me një djalosh fisnik e të shkathët si Thana duke i ofruar asaj për burrë një plakush të kamur si Guri Dudukun, me qëllimin tinëzar që më vonë t’ia përvetësojë atij pasurinë. Falë një veprimi provokues të Thanës kur ajo i drejton mëtuesit plak koburen që ai të heqë dorë nga martesa me të, vjen edhe zgjidhja e lumtur: bashkimi në kurorë i Vikos me Thanën, duke satirizuar kështu njerëzit mendjengushtë, të pashpirt e lakmitarë, që nuk mendojnë për lumturinë e fëmijëve veçse për pasurim, grabitje dhe shfrytëzim (Dhëndër me përdhuni - 1922); një tjetër pamje e dukurisë së interesit pasuror për lidhjen e martesave, por tanimë në invers: Agostini, një bankier plak shkodran, e refuzon dashurinë e të bijës, Vitors me shkruesin e tij, Luigjin, i nisur nga mendimi se ky i fundit niset nga interesi për të fituar nga pasuria dhe jo nga dashuria, por që në fakt, saje shkathtësisë së të bijës dhe një sërë situatash gazmore, martesa realizohet dhe Agostini bindet se shkruesi i tij, Luigji, dashka më tepër vajzën sesa paratë e tij, ndaj dhe jep bekimin (E bija e bankierit - 1922); martesat me gra të huaja, që e keqpërdorin dhe abuzojnë mbi të drejtat e njeriut gjer në atë masë sa protagonisti i komedisë, Trifoni, i martuar në Greqi, sjell prej andej edhe nusen edhe vjehrrën, por që të dyja jo vetëm nuk e respektojnë, por e katandisin si mos më keq, deri sa e rrahin. Dhe për t’i shpëtuar këtij keqtrajtimi, shoku i Trifonit, Dhoksapatriu, sajon një rreng duke u thënë të dy grave pretencioze se burri dhe dhëndëri i tyre është i sëmurë nga lija. Gratë greke ia mbathin që të mos infektohen dhe kështu Trifoni shpëton prej tyre, me përfundimin moral të autorit se njeriu duhet të martohet me atë që e kupton dhe e respekton, sidomos me atë që është i një gjaku e zakoni, dhe jo nga kombësi të tjera, sikundër shpesh parapëlqehet ndër shqiptarë për snobizëm apo arsye të tjera (Pësimet, mësime - 1923); Katina, një grua që mëton të bëhet moderne, shpenzon aq shumë për veshje e ndjekjen e modës sa thuajse e rrënon ekonominë familjare dhe rroga e majme e burrit shpenzohet vetëm për plotësimin e tekave të saj me gjoja sjelljen prej qytetareje moderne alla parisiane. Nga ky teprim e budallallëk, Burrin e shpëton shërbyesi i shtëpisë, Kastraveci, që i çel mendjen me talljet dhe qëndrimin e tij shpotitës, kurse vetë snobizmit të Katinës i vë përballë të vërtetën, arsyen, thjeshtësinë që lipsen të karakterizojnë njeriun duke e ndërgjegjësuar dhe duke e bërë me turp për marrëzitë e saj (Burri-Burrë – 1943); kundërvënia e kuptimeve të fjalëve që prodhojnë një situatë absurdi me ngatërresa e situata komike midis njerëzve; një i shurdhër që i merr fjalët tjetër për tjetër; Ligori që keqshqipton fjalën “anakomi”, çka shkakton tek të tjerët panik e frikë dhe gjithë një fshat merret me shpjegimin dhe tjerrjen e kuptimit të saj (Merre ta marrim); vesi i keq i kumarit, që çon në rrënim ekonomik, duke vënë laçkë e plaçkë në “shitje”, gjer edhe gruan (Do vras vedin); ashtu sikundër shpesh K. Floqi tërhiqet edhe nga lojërat, rrengjet, shakatë dhe karakteri argëtues i veprimit, pa u merakosur fort për vizatime karakteresh qe mbartin sakaq një dukuri me peshë sociale a morale (Lojnat e studentëve).

Në vitin 1922 K. Floqi shkruan operetën komike me 4 akte Qerthulli politik. Ajo ngrihet mbi një situatë paradoksale, kur, për të organizuar zgjedhjet politike në Shqipëri dhe krijimin e një Asambleje Kushtetuese, thërritet si grup organizues një delegacion nga Afganistani i prapambetur, primitiv e i largët. I nxitur nga situata e paqëndrueshme politike e vendit në fillim të viteve ’20, kur qeveritë ngriheshin dhe binin (madje pati ndonjë syresh që qëndroi vetëm 5 ditë), komedia fshikullon mungesën e përgjegjësisë së klasës politike, rëndom injorante dhe e korruptuar, e cila nuk kishte vizionin e duhur për të ndërtuar një shtet shqiptar modern e me kah Perëndimor. Veprimi i ngjan një maskarade personazhesh, deputetë e ministra, pasuar nga cekja e një problematike të gjerë e gjithëpërfshirëse (punësimi, financat e dobëta, arsimi i nivelit të ulët, infrastruktura e keqpërdorur, gjyqësori i korruptuar, administrata e paaftë dhe e fryrë me rrogëtarë, censura, diplomacia e kompromentuar me përfaqësues të padenjë e “pa diploma”). E kundruar si një tablo, ku asgjë nuk lihet jashtë kritikës, satirës dhe talljes, “Qerthulli politik” mbyllet me “konkluzionet” e grupit të ekspertëve nga Afganistani, të cilët konstatojnë se shqiptarët janë përgjegjës vetë për gjendjen e tyre të mjerë, se ata vuajnë nga disa sëmundje si akraballëku, kumari, dembellëku, kotësia, qëndrimi në kafene, etja për pushtet, hajdutllëku, mburrja etj. Ky kontrapunkt, pra nga Afganistani i prapambetur tek Shqipëria edhe më e prapambetur, përveç talljes dhe shpotisë, ka edhe shumë mëri për gjendjen se ku e ka zhytur klasa politike vendin dhe popullin e vet. Gjithsesi, shpresa se Shqipëria mund të mëkëmbet nuk i mungon autorit, teksa me gojën e një personazhi deklaron në finale se “në gji të popullit ka shumë djelm e burra të zot që mund ta udhëheqin sigurisht Shqipërinë e t’i bëjnë ballë çdo rreziku, po mjerisht këta s’i përfill njeri”

Vëllazëri dhe interes (botuar më 1920) prek dukurinë e interesit të ngushtë edhe në vllazëri. Jo rrallë herë edhe sot, shumëkush e shikon të afërmin e tij, në kurbet të largët qofshin ose jo, ashtu siç e shikonte dikur Koci dhe Marga, Mitin: jo si vëlla apo kunat, por si një karrem për t’i shpëtuar nga hallet, ca më keq për ta zhvatur. Ideja se nga varfëria dhe shprishja njeriu humbet, madje, edhe vlerat morale fillestare, të cilat e mbajnë familjen si të tillë, sikundër edhe raportet vëllazërore e intime, ku përmasa e frikshme e zhbërjes morale, ku interesi dhe paraja janë bërë, në fakt, djajtë e shpirtrave të përnxitur keqas nga antivlera, duket se ka mbetur edhe sot po aq e frikshme dhe e neveritshme sa edhe dje. Komedia Akraballëket (shkruar më 1920, botuar më 1926) ofron një pamje sarkastike, njëherit edhe tragjike, të korruptimit të administratës shtetërore, të frymës mbytëse të farefisnisë, të tarafeve e nepotizmit, me klanet, me vjedhjet e arkës së shtetit e të taksapaguesve. Ndonëse personazhin e Strumbullarit autori e ka shfrytëzuar si një shans për të zbërthyer personazhet e tjerë (sekush është farefis me të), nga ana e tyre, këta të fundit zbulojnë në “mirëbesim” para tij bëmat e prapa, kërkesat absurde për privilegje apo poste të rëndësishme e të pamerituara, vjedhjet dhe lakmitë e paarsyeshme, nisur me Sorollopin, Legenin, Kapakun, Tenxheren, Tiganin. Ndërsa në komedinë Zi e më zi (1922), haset një përqeshje e tërthortë e zakonit të mbajtjes së zisë dhe të mbylljes së jetës së femrës në vetmi, kuje dhe mizantropi, pas vdekjes së burrit? Gala e lënduar nga vdekja e Tuhafit, të shoqit të saj pijanec e të zdërhallë, tok me dy ngushëlluesit e ardhur për qokë, harrojnë të vdekurin dhe vdekjen dhe i blatohen gëzimit, këngës, madje edhe valles, gjersa gjithçka mbyllet me dy martesa, si një sfidë ndaj mortit dhe kujës. Një kokëkrisje e tillë letrare prej K. Floqit, bie erë që tej së s’është e gjitha veçse një grotesk i pastër dhe i qëllimtë. Falë mjetit të kontrapunktit, komedia i mëshuan jetës dhe gëzimit të saj.

Humori i komedive të K. Floqit shpesh është tepër i hidhur, duke parapëlqyer kundërshti me peshë sociale, dhe të mprehta për kohën. Por, në të shumtën e herës, ai pëlqen që mos t’i rëndojë së tepërmi komeditë me antagonizma apo papajtueshmëri të rrezikshme. Në mjaft prej tyre kalohet në mënyrë gazmore dhe me zgjidhje fatlume, duke ofruar format e kompromisit si shenjë demokracie, si pranim dhe mirëkuptim; tallet e qeshet me tipa të ndryshëm që mbartjen komike e përshfaqin në linjën e vetëdemaskimit, atë të “zbulimit” të dobësisë, dhe të dështimit në fund. Autori përdor rëndom situatat e keqkuptimeve, lodrat pas shpine, rrengun ose përshfaqjen e tiparit komik të personazhit cak pas caku, duke e zhvlerësuar këtë të fundit nga krekosja, krenaria boshe dhe falsiteti paraprak. K. Floqi u bë nismëtar i komedisë së shkurtër, solli përvojë të begatë, krijoi një galeri tipash që zbërtheheshin falë situatave të çlirëta, shpesh paradoksale e me veprime të papritura, me përdorimin e alogjizmave, burleskut. Antroponimizimi i personazheve me emra që përqasen nëpërmjet metonimive si p.sh Halldupi, Dudumi, Sorollopi, Kopani, Strumbullari, Tigani, Barkaleci, Trari., Budrumi, Duduku, Zullumi, Kastraveci, Gala, Galica, Gargulli, Bufi, Patuku, Sepja, Plugu etj, e shton efektin komik. Jo njëherë, ai është quajtur si një Molier i komedisë shqiptare për nga ndikimi, fillesa dhe shtysa parake e ngjarjes, për nga modelimi i personazheve, si dhe stili i tij i afruar, paksëpaku, me atë të komediografit gjenial francez.
Krahas komedive dhe dramave origjinale, ai ka përkthyer e përshtatur edhe disa vepra të njohura nga autorët e antikitetit grek si: Antigoni dhe Mbreti Edipus të Sofokliut, Midhia (Medea) e Euripidit apo komedinë Koprraci të Molierit. Vdiq në mjerim të plotë, i zhvlerësuar dhe i persekutuar nga regjimi komunist, i braktisur nga shoqëria dhe jashtë kontakteve me rrethet e trembura intelektuale të kohës
 
 
 
Jonela Spaho, Kristo Floqi, Koha dhe vepra e tij letrare, Universiteti i Tiranës, Tirane 2010,  f. 163 (disertacion për doktoraturë) 
Kristo Floqi, Qerthulli politik, Tiranë, 1922, f. 96.
Mato Jakup: Rreth disa komedive të Kristo Floqit, Letërsia si e tillë, Tiranë, 1996, f. 373-376. Instituti i Koço V. Qendro, Në skenën e Korçës – vështrim historik (kujtime dhe studime), Enti Botues D.I.J.A. - Poradeci, 2010, f. 67-73. Islami, Nebi: Historia dhe poetika e dramës shqiptare 1 (1886-1996), Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Arteve, Art Qendra, ARTC Prishtinë, 2003, f. 71-74, 140-142, 150-151. Adhami, Stilian: I anatemuari Kristo Floqi, Gazeta Shqiptare, suplementi Milosao, 10.08.2008, f. 12-13. Jonela Spaho, Kristo Floqi, Koha dhe vepra e tij letrare, Universiteti i Tiranës, Tirane 2010,  121-172 (disertacion për doktoraturë). Instituti i Lartë i Arteve, Historia e teatrit shqiptar (maket), Shtëpia Botuese e Librit Shkollor, 1985, vol. 1, f. 75, 111-113 (nga Kudret Velça). 

kristaq

kristaq


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë